Kthehet në Kosovë shtetasi që mbeti i bllokuar një javë në aeroportet e Dubait e të Cyrihut

E publikuar: 31/03/2020 13:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Planifikoi të kthehej përmes Dubait në Shkup, por Maqedonia e Veriut nuk e lejoi. Nuk kishte as Schengen vizë e as ndonjë tjetër, e kosovari nga Kaçaniku, kaloi disa ditë në aeroportin e Dubait e disa në zonë neutrale në Cyrih të Zvicrës, derisa ambasadat e Kosovës atje arriti t’i bindë autoritetet zvicerane t’ia mundësojnë kthimin në Kosovë.

Një kosovar nga Kaçaniku 10 ditë më parë alarmoi se ka mbetur i bllokuar në aeroportin e Dubait, në Emirate të Bashkuara Arabe, duke u kthyer nga Tajlanda, për shkak të masave për mbylljen të kufijve e të aeroporteve që u morën në situatën e krijuar nga virusi COVID-19.

Ambasada e Kosovës në Emirate të Bashkuara Arabe ka konfimruar për Gazetën Express se shtetasi kosovar ka arritur të kthehet pas disa ditëve të kaluara në zona neutrale.

“Prej 19-23 në Dubai pastaj në Zurich ka qëndruar disa ditë në zonë neutrale, e tash sa e di une është në karantinë në Prishtinë”, ka thënë ambasadori Avni Arifi.

Kaçanikasi kishte planifikuar të fluturonte përmes Dubait në Shkup, por kur Maqedonia e Veriut i ndaloi ardhjen e shtetasve të tuaj, ai mbeti në aeroport të Dubait për katër ditë. Vetë shtetasi i Kosovës u lajmërua një javë më parë në një televizion ku u ankua se autoritetet nuk po angazhohen për kthimin e tij.

Arifi tregon se Emiratët e Bashkuara Arabe vendosën masa strikte për moslejimin e shtetasve të huaj për shkak të koronavirusit, e kosovari nuk kishte as vizë.

“Për të hyrë në EBA ai s’kishte vizë, e në të njëjtën kohë ishte vendim i prerë që askujt as mos t’i jepet vizë e bile edhe atyre që u kishin dhënë vizë, por që gjendeshin jashtë EBA’s u ishin anulu”, tha Arifi.

Shtetasi kosovar nuk ishte pranuar nga asnjë kompani ajrore, për shkak se nuk i posedonte vizat e nevojshme, e Turqia, ashtu si Maqedonia e Veriut, nuk kishte pranuar që të fluturonte në shtetin e tyre.

Ambasadori tregon se qytetari nga Kaçaniku arriti të fluturonte për në Cyrih përmes një garancioni të Ambasadës së Kosovës në Zvicër se kur të aterojë në aeroport, do t’ia mundësojnë transportin për në Prishtinë.

“Ai arriti të fluturojë me aeroplanin e fundit qe fluturoi nga Dubai per Zurich pas garancioneve që i dha ambasada në Cyrih se do të merrej me transportin e tij për në Prishtinë”.

Më 27 mars, 55 shtetas të Kosovës arritën nga Cyrihu në Prishtinë. Ata menjëherë u bartën në Qendrën e Studentëve, e cila po shfrytëzohet si karantinë. /Express/