Kryetarët shqiptarë presin ta marrin drejtimin e Veriut nën paralajmërimet për tensione

E publikuar: 05/05/2023 21:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njohësit e çështjeve të sigurisë presin rritje të tensioneve në veri të vendit, deri në betimin e kryetarëve të rinj të katër komunave. Por, sipas tyre, organet shtetërore duhet të kujdesen për rritjen e sigurisë. Ekspertë juridikë thonë se ligjërisht nuk mund të ndryshohen e as mandatet nuk mund të zhvlerësohen.

Tensioneve mund të paraprijnë edhe paralajmërimet e krerëve të shtetit serb se do të ketë “një krizë të madhe” në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Realisht do të ketë tensione gjithsesi, do të ketë masa të sigurisë për katër kryetarët e posazgjedhur të komunitetit shqiptarë, në katër komunat me shumicë serbe dhe kjo do të vazhdojë një kohë, dhe pritet që tensione të ketë, por të jenë tensione të dirigjuara nga presidenti serb Vuciq, ata veçse kanë filluar ti shpeshtojnë vendosjen e flamujve dhe mbishkrimeve të ndryshme kërcënuese ndaj vetëfunksionimit të katër kryetarëve dhe asambleve në këto komuna, ky është paralajmërim i mundshëm i tensionimit në veri”, tha për transmetuesin publik Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë.

Bashkimi Evropian në takimin e fundit të nivelit të lartë ka kërkuar që të digjen mandatet në veri dhe to mos bëhet betimi i kryetarëve të sapozgjedhur.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve juridike thonë se afatet ligjore nuk mund të ndryshohen e as mandatet nuk mund të zhvlerësohen.

“Ligjërisht nuk është e lejueshme sepse kjo do ta cenonte parimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, do ta cenonte edhe parimin e mandateve të fituara dhe do të krijonte precedent jot ë duhur për të ardhmen edhe për komunat e tjera ku ka shumicë serbe”, tha Florim Shefqeti avokat.

Njohës të zhvillimeve politike në Mitrovicë thonë se mandati i kryetarëve të zgjedhur më 23 prill mund të mos zgjas më shumë se 2-3 muaj.

“Në zgjedhjet e ardhshme, kur e pritshme është që të marrin pjesë edhe serbët dhe e pritshme është që kryetarët e këtyre komunave të jenë serbë, atëherë ata nuk do të mund ta heqin flamurin e Kosovës, sepse do ta gjejnë aty dhe pjesë e marrëveshjeve mes Kurtit e Vuciqit do të jenë që flamuri të mbetet. Ata ndoshta mund ta shtojnë flamurin e Asociacionit aty por flamuri I Kosovës më nuk do të mund të hiqet”, deklaroi Nexhmedin Spahiu, analist.

Afati i fundit për të dhënë betimin, kryetaret e zgjedhur të Mitrovicës së veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit është 28 maji.