Kryeministri Kurti priti në takim deputetët e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar

E publikuar: 15/07/2022 15:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në zyrën e tij deputetët e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Martin Vickers nga radhët e Partisë Konservatore dhe Stephen Doughty, Alex Sobel dhe Luke Pollard nga radhët e partisë Laburiste.

Ata janë pjesë e delegacionit nga Unioni Ndërparlamentar Britanik të cilët po qëndrojnë në Kosovë në një vizitë zyrtare. Z. Doughty, z. Sobel dhe z.Pollar njëherit janë edhe anëtarë të kabinetit nën hije të Partisë Laburiste.I nderuar nga vizita e tyre në Kosovë, kryeministri Kurti tha se Britania e Madhe është mike, partnere dhe aleate e rëndësishme e Republikës së Kosovës dhe popullit të saj.

Nyje e fortë e lidhjes ndërmjet Kosovës dhe Britanisë së Madhe është intervenimi i NATO-s, në vitin 1999. 23 vjet më pas, Kosova është tregim i dyfishtë i suksesit. Së pari, sukses i ndërhyrjes perëndimore dhe NATO-s për të ndaluar gjenocidin serb. Dhe së dyti, është dëshmi që zhvillimi ekonomik dhe demokracia cilësore funksionojnë krah për krah. Ai tha se është shumë e rëndësishme që të mbrohet rrëfimi i ndërhyrjes së suksesshme të NATO-s në Kosovë, sepse kështu mbrohet edhe historia e NATO-s.

Deputetët u shprehën se Kosova ka mbështetjen e plotë ndërpartiake në Britani të Madhe, ndërkaq shprehën interesimin për mundësitë dhe format e shtimit të bashkëpunimit në fusha si ajo e infrastrukturës, energjisë së ripërtëritshme, shkëmbimit tregtar dhe sigurisë.

Kryeministri Kurti tha se Kosova e vlerëson lart mbështetjen ndërpartiake që gëzon në Britani të Madhe dhe se Qeveria e Republikës së Kosovës e ka interesimin, vullnetin dhe gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar më shumë dhe më mirë në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Ai po ashtu tha se ndihma dhe mbështetja e Britanisë së Madhe është shumë e rëndësishme në synimet e Republikës së Kosovës për t’u bërë pjesë e Programit të NATO-s për Partneritet dhe Paqe dhe anëtare e Këshillit të Evropës, në të cilën organizatë tashmë edhe ka aplikuar.

Gjatë takimit u diskutua edhe për pasojat dhe rreziqet e agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, që javën tjetër shënon muajin e pestë, si dhe veprimet e menjëhershme që Republika e Kosovës ka ndërmarrë në linjë me politikat e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe solidarizimin me Ukrainën.