Kryeministri i zotohet Lajçakut se do ta zbatojë udhërrëfyesin për energjinë

E publikuar: 27/06/2022 17:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka zhvilluar sot një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Siç ka njoftuar Zyra për Media e kryeministrisë, Lajcak dhe Kurti kanë folur në përgjithësi për procesin e dialogut, derisa kanë diskutuar në veçanti edhe punën e marrëveshjes me Serbinë për energjinë në komunat veriore të vendit, shkruan Gazeta Express.

Kreu i Qeverisë ka thënë se Kosova është e angazhuar për dialog parimor nga i cili përfitojnë qytetarët e Kosovës dhe Serbisë, përmes një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe zbatueshme që në qendër ka njohjen reciproke.

“Kryeministri Kurti dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, z. Lajčák folën edhe për marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015. Ai theksoi angazhimin e Qeverisë në zbatimin e tij, me qëllim të përfundimit të një problematike të trashëguar, tё furnizimit dhe pagesës sё energjisë në katër komunat në veri tё vendit”, thuhet në komunikatë.

Kurti teksa ka arsyetuar marrëveshjen, ka thënë se e njejta do t’i kursejë buxhetit të Kosovës miliona euro të cilat janë dhënë më herët për mbulimin e shpenzimeve në veri.

“Në sajë të kësaj marrëveshje, pas më shumë se 20 vitesh, katër komunat në veriun e Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, do të kalojnë në një rend të rregullt të faturimit të energjisë. Me këtë marrëveshje, buxhetit të Republikës së Kosovës do t’i kursehen me dhjetëra milionë euro në vit, të paguara më herët për mbulimin e kostove energjetike të veriut të vendit”, përfundon njoftimi./Express/