Kryeministri Haradinaj: Investimi në edukim i nevojshëm për Kosovën

E publikuar: 30/11/2017 20:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim një grup të studentëve-bursistë, të bashkë-financuar nga Qeveria e Kosovës dhe USAID-i, të cilët studimet e tyre i kanë përfunduar në universitete të ndryshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri Ramush Haradinaj, i ka njoftuar studentët me punën që po bënë Qeveria nën drejtimin e tij, duke shprehur kënaqësinë për investimin në edukim, e për të cilin tha se Kosova ka shumë nevojë.

Kryeministri me këtë rast tha se është mbështetës i këtij projekti, sepse përvoja e studentëve të diplomuar në SHBA, do të jetë ndihmesë shumë e madhe për institucionet e Kosovës në të gjitha aspektet, duke filluar nga administrata publike, drejtësia, zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia, bujqësia, etj.

Më tej kryeministri Haradinaj, tha se Kosova ngecë në implementim dhe për këtë është i nevojshëm vullneti, kapaciteti, ekspertiza dhe njohuritë e profesionistëve.

Kryeministri Haradinaj, në bashkëbisedim me studentët tregoi edhe një sërë sfidash me të cilat përballet Kosova, por edhe për punën që është duke bërë Qeveria për zhvillimin ekonomik, në përkrahje të prodhuesve, sipërmarrësve, përpunuesve, përmes politikave të favorshme fiskale, qoftë përmes lirimit nga tatimi të lëndës së parë apo teknologjisë.

Kryeministri Haradinaj, tha po ashtu se është i kënaqur dhe krenar me vullnetin dhe përkushtimin e studentëve për edukim cilësor dhe për vendosmërinë e tyre drejt zhvillimit profesional.

Në takim me kryeministrin ishte edhe shefi i Misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, i cili e falënderoi kryeministrin për pritjen, duke thënë se janë të ngazëllyer për 180 të diplomuarit nga Programi për Lidership Transformues, të cilët i kanë ndjekur studimet master në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në fushat të cilat kanë rëndësi të madhe për Kosovën, si në ekonomi, teknologji dhe fusha tjera.

“Sa herë takohem me këtë grup jam i inspiruar dhe i frymëzuar nga pasioni dhe energjia e tyre, por edhe nga përkushtimi i tyre drejt ndryshimeve pozitive të vendit dhe kjo më jep një motiv që Kosova do ta ketë një të ardhme të mirë”, tha Hope.