Kryeministri Haradinaj: Fadil Vokrri mbajti gjallë frymën e sportit edhe në vitet 1990-1999

E publikuar: 10/06/2018 15:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Ndarjet nga një sportist i dalluar kanë dimensionin e vet dhe, të parët që preken janë sportistët, bashkë lojtarët, ata që kanë ndarë shumë momente të sportit me të. Fadili bënë përjashtim. Fadil Vokrri ishte i të gjithëve. Nuk e di kush nuk ka qenë i afërt me të. Fadili ishte një sportist shpirtbardhë, i cili mërzitej nga lajmet e këqija për këdo qofshin, jo vetëm në sport, e i gëzohej lajmeve të mira për të gjithë”, kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj, në mbledhjen komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, që u organizua nën patroatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Duke folur për rolin që kishte Fadil Vokrri për sportin kosovar, kryeministri Haradinaj, tha se Fadili e kishte mbijetuar një krenari të sportit në kohëra jo të lehta për popullin tonë edhe para viteve të ’90-ta.

“Ai e mbajti gjallë frymën e sportit edhe mes viteve 1990-1999 dhe u kthye për t’i dhënë edhe njëherë përkrahjen sportit, sportistëve, jo vetëm futbollistëve, jo vetëm Federatës së Futbollit, por gjithë Kosovës, në periudhën e re të shtet ndërtimit. Falë tij Kosova u kthye në familjen e sportit, familjen e futbollit, në FIFA dhe falë tij Kosova sot e gëzon respektin në arenën ndërkombëtare. Pra, ai na bëri shumë miq për sportin, për vendin”, tha kryeministri Haradinaj.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj siguroi familjen Vokrri se sot nuk janë vetëm ata me dhimbje, por janë të gjithë, sepse Fadili ishte dhe do të mbetet çdo herë i të gjithëve me kujtimet më të mira.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se Fadili ishte sinonim i lajmeve të mira për Kosovën, sinonim i shpresave për një Kosovë që bënë historinë në fushën e gjelbër të sportit më të bukur në botë, futbollit. Para së gjithash, Fadil Vokrri ishte sinonim i një njeriu të ndershëm të Kosovës, andaj dhimbja për të është shumë e madhe.

Para të pranishmëve, nga një fjalë e mbajtën edhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Ndërsa në emër të familjes Vokrri të pranishmit me një fjalë i përshëndeti i biri i Fadil Vokrrit, Gramoz Vokrri. “Është tepër vështirë ta përshkruaj babin tim. Besoj se vepra e tij flet vet. Andaj më lejoni t’ju falënderoj të gjithëve, për përkrahjen e vazhdueshme, se Fadil Vokrri nuk ishte vetëm i joni, por ishte i gjithë Kosovës. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, tha ai.

Të pranishëm në mbledhjen komemorative ishin edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit, përfaqësues të Federatës së Futbollit të Kosovës, përfaqësues të FIFA-s, kryetar të komunave dhe personalitete të tjera.

Varrimi i të ndjerit bëhet sot me nderime shtetërore në varrezat e Prishtinës, në ora 17:00./infosot/