Krejt çka thanë Chollet e Escobar përballë senatorëve amerikanë, mesazhet që u dhanë për dialogun Kosovë-Serbi

E publikuar: 19/05/2023 07:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dje në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përkatësisht në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë është mbajtur seanca dëgjimore me temën “Vlerësimi i Politikave të ShBA-ve ndaj Ballkanit Perëndimor”.

Në këtë seancë u diskutua edhe për marrëveshjen Kosovë-Serbi, konkretisht për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, si dhe procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Senatorët dëgjuan raportet e Këshilltarit Special të Shtetit, Derek Chollet, të Dërguarit Special të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, por edhe kryetarin e këtij Komisioni, Bob Menendez.

Në fjalën e tij, këshilltari Special i Sekretarit të Shtetit, Derek Chollet në dëshminë e tij para senatorëve ka treguar se ka rezerva nga Kosova dhe Serbia për angazhim në dialog.

Sa i përket Marrëveshjes dhe implementimit të saj, Chollet tha se ShBA-ja nuk sheh implementim të marrëveshjes nga asnjëra palë por premtoi punë intensive për ta arritur normalizimin.

“Nuk po shohim implementim nga asnjë prej palëve në marrëveshje, është diçka që zoti Escobar ka qenë i përqendruar. Kam folur edhe me Borrellin, edhe BE-ja është e përqendruar në këtë, për këtë arsye jemi angazhuar me diplomaci intenzive në mënyrë që të dy palët t’i përmbushin zotimet e marrëveshjes”, deklaroi Chollet.

Marrëveshja e arritur në Bruksel dhe pajtimi për aneksin në Ohër, sipas Escobarit, kanë qenë hapa të mëdhenj drejt paqes mes shteteve.

“Siç vuri në dukje Këshilltari, një pengesë e madhe për paqen dhe prosperitetin e qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor është marrëdhënia e tensionuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja e lehtësuar nga BE-ja mbi Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve dhe aneksi i zbatimit të saj, të rënë dakord në shkurt dhe mars, ishin hapa të mëdhenj drejt vendosjes së paqes dhe parashikueshmërisë në marrëdhënie. Zbatimi është duke u zhvilluar. Më 2 maj, presidenti serb dhe kryeministri i Kosovës filluan diskutimet për Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe dhe rikonfirmuan përkushtimin e tyre për të zgjidhur fatin e Personave të Zhdukur për të nxitur pajtimin dhe paqen”, ka thënë Escobar.

Njëjtë si Chollet, edhe Escobar premtoi angazhimin e ShBA-ve që Kosova dhe Serbia t’i përmbushin detyrimet e marrëveshjes.

“Unë kam udhëtuar vazhdimisht në Bruksel dhe në të gjithë rajonin për të mbështetur këtë proces. Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara me Kosovën, Serbinë dhe partnerët tanë evropianë për të nxitur përmbushjen e të gjitha detyrimeve sipas marrëveshjeve të Dialogut”, ka thënë Escobar.

Sa i përket Asociacionit, këshilltari i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se ShBA-ja nuk e mbështet një Republikë Serbe në Kosovë duke theksuar që Asociacioni të jetë i pranueshëm për të dyja palët.

“Asociacioni është një marrëveshje që është bërë para 10 vjetësh. E rëndësishme është që ne duam që të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin shërbimet e barabarta dhe t’u dëgjohet zëri dhe që serbët e veriut të jenë më pak të lidhur me Beogradin. Ne nuk do të pranojmë dhe as nuk do të mbështesim asgjë që mund të krijojë një republikë serbe. Ajo që po shikojmë është se si mund të jetë i pranueshëm Asociacioni për të dyja palët”, tha tutje ai.

Të njëjtën gjë e tha edhe emisari i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili theksoi se formimi i Asociacionit do të jetë në përputhje me Kushtetutshmërinë e Kosovës.

“Në fakt ky është synimi ynë. E kemi thënë se Asociacioni është obligim i marrë nga Kosova me marrëveshjen e Brukselit. Por, e kemi përsëritur vazhdimisht se do ta ndihmojmë Kosovën që ta formojë atë sipas një modeli evropian e që nuk shkel sovranitetin apo Kushtetutën e saj apo funksionalitetin. Siç e shohim ne, Asociacioni është rrugë për katër komunat apo komuna tjera që duan t’i bashkohen, që të marrin shërbime komunale për popullatën shumicë serbe në gjuhën serbe”, deklaroi Escobar.

Escobar tha se Asociacionin duan “ta përdorin” si mjet për të ndaluar veprimet e Serbisë në veri të Kosovës.

Por, kryetari Bob Menendez, në fjalën e tij, tha se vetëm Kosovës po i bëhet presion për Asociacionin ndërsa Serbisë nuk po i bëhet kurrfarë presioni.

Ndër të tjera, ai tha se kushti i hyrjes së Serbisë në BE është shkëputja e saj nga Putini.

“Nuk shoh se ka participantë të barabartë në këtë proces. Vuçiqi një gjë po e thotë para popullit serb dhe tjetër gjë po thotë para ndërkombëtarëve. Çka shoh unë është presion mbi Kosovën për formimin e Asociacionit, por nuk ka presion mbi Serbinë”, deklaroi Mendez, përcjell Reporteri.net.

“Nëse Serbia do që të integrohet në BE, duhet të shkëputet nga Putini”, theksoi Menendez.

Menendez po ashtu u shpreh skeptik ndaj asaj se nuk do të ketë “Republikë Srpska” në Kosovë sepse, siç thotë ai, nuk ka parë ende një plan apo garanci për këtë konstatim.

“Ndërkohë s’ka as ndonjë plan apo garanci që Asociacioni s’do të jetë një Republika Srpska”, ka thënë Menendez.

Kujtojmë që takimi i fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi është zhvilluar në nivel të kryenegociatorëve me ndërmjetësim të BE-së, mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, takim ky i cili u vlerësua pa rezultate.

Në lidhje me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, i dërguari Special i BE-së, Mirosllav Lajçak, ka thënë se diskutimet do të vazhdojnë.

Ndërkaq në takimin e 2 majit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq është arritur miratimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur por jo edhe për draft-statusin e Asociacionit.