Krasniqi thotë se PDK-ja është e gatshme për zgjedhje

E publikuar: 01/06/2018 09:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Memli Krasniqi ka deklaruar se partia e tij është e gatshme për zgjedhje të parakohshme nëse vendosin të gjitha subjektet e tjera politike.

Por, sipas tij, asnjë parti nuk dëshiron të ketë zgjedhje, shkruan sot “Zëri”.

Kosovës aktualisht nuk i duhen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, por i duhet stabilitet dhe qëndrueshmëri institucionale.

Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është e gatshme për zgjedhje nëse të gjitha partitë parlamentare vendosin për një gjë të tillë. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi.

Sipas tij, pavarësisht gatishmërisë së PDK-së asnjë subjekt politik në vend nuk dëshiron zgjedhje në Kosovë, pasi që janë disa çështje të rëndësisë nacionale që duhet të definohen brenda dy-tre vjetëve të ardhshme.

Shefi i deputetëve të PDK-së gjatë kësaj interviste ka folur edhe për fazën finale të dialogut me Serbinë, duke thënë se vendit edhe këtë herë i duhet një ekip i unitetit dhe këtë proces duhet ta udhëheqë presidenti Thaçi pavarësisht kundërshtimeve të opozitës dhe partnerit të koalicionit qeverisës, Nisma Socialdemokrate.