Krasniqi: Morëm buxhetin me 650 milionë euro më 2007, ia dorëzuam Mustafës me 2 miliardë më 2014

E publikuar: 30/06/2021 20:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për kryetar të PDK’së, Memli Krasniqi, në emisionin Pressing të T7, ka lavdëruar punën e partisë së tij, duke thënë se gjatë qeverisjes së PDK’së, buxheti i shtetit është trefishuar.

Krasniqi tha se buxhetin e shtetit nga 650 milionë, brenda 7 vjetëve PDK’ja e ka trefishuar duke e bërë 2 miliardë euro.

Sipas tij, puna e qeverive të tjera para PDK’së dhe pas saj, është pothuajse inekzistente.

“Nëse ndalemi dhe i shohim punët që i kemi bërë gjatë qeverisjes së PDK’së, unë ju them nëse flasim pa ngarkesat politike partiake, pse jo edhe ideologjike, në mënyrë të vlerësimit real, i shohim punët që janë bërë para 2007 dhe ato që janë bërë pas 2019’tës, pothuajse janë inekzistente”, është shprehur Krasniqi.Tutje, Krasniqi tha edhe se gjatë qeverisjes së PDK’së 2008-2017, janë kryer të gjitha punët e mëdha në këtë vend.

“Të gjitha punët e mëdha në këtë vend janë bërë gjatë viteve 2008-2017, e veçanërisht gjatë viteve 2008-2014”, ka thënë Krasniqi.

“Nuk është e tepërt me përmend, e kemi marrë buxhetin e Kosovës 650 milionë euro në vitin 2007 dhe ia kemi dorëzu Isa Mustafës me 2 miliardë, e sot është 2.2 miliardë. Ne e kemi trefishuar për shtatë vjet”, ka thënë Krasniqi.

“Të gjitha qeveritë tjera, nuk kanë arritur të rritin buxhetin as 20%”, shtoi Krasniqi.