Krasniqi: Masakra ndaj familjes Deliu, dëshmi e synimit të shfarosjes së shqiptarëve nga Serbia

E publikuar: 26/09/2022 14:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kujtuar 23 anëtarët e familjes Deliu nga Abria e Epërme e Drenasit që u masakruan nga forcat serbe në vitin 1998.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se masakra ndaj familjes Deliu është dëshmi se Serbia synonte të shfaroste shqiptarët me tërë arsenalin ushtarak dhe me metodat më barbare të mundshme.

“Me nderim i përkulemi sakrificës së familjes Deliu, për 23 anëtarët e saj, nga më i vjetri Fazliu, 94 vjeçar, deri te Valmiri dy vjeç dhe Diturija e cila atë ditë ishte vetëm gjashtëjavëshe”.

“Historia jonë nuk do të harrojë asnjëherë se sa me vlerë është liria që gëzojmë sot dhe sa e vështirë ishte rruga që kaloi populli ynë deri në çlirim”.

“Sot, kujtojmë edhe heronjtë e UÇK-së nga Abria e Epërme, që ranë po atë ditë në altarin e lirisë, Vesel Demaku, Valdet Xhemajli e Afrim Hajdaraj”, ka thënë Krasniqi.