Krasniqi: E ftoj kryesuesin të mos bie nën ndikimin e manipulimeve partiake

E publikuar: 19/04/2025 12:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka bërë thirrje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Ai ka kërkuar nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, që të mos ndikohet nga “manipulimet partiake’”.

“E ftoj kryesuesin të mos bie nën ndikimin e manipulimeve partiake dhe ta luajë rolin e tij si i pari në mesin e barabartë, ashtu siç e përcakton Rregullorja e Kuvendit, dhe ta hedhë në votim raportin për verifikimin e mandateve. Skenari ka qenë kështu, edhe sot duhet të jetë kështu”, ka thënë Krasniqi në një prononcim për media para seancës konstituive të shtunën.

Ai po ashtu i ka ftuar të gjithë deputetët që të marrin pjesë në votim.

“Jemi këtu për ta konstituar Kuvendin dhe për t’i dhënë drejtim formimit të institucioneve të tjera. Andaj, i ftoj të gjithë deputetët që të jenë në sallë për të votuar”, ka shtuar ai.