Kovaçevsk: Nga sot e tutje ecim përpara

E publikuar: 16/07/2022 19:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevsk, pas miratimit të propozimit francez, ka thënë se nga sot do të ecin përpara me një hap të përshpejtuar për t’u bashkuar me familjen evropiane.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ai tha se pas 17 vjetësh, më në fund po fillohet procesi i negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian.

“Më në fund, pas 17 vjetësh, fillojmë procesin e negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian. Nga sot e tutje ecim përpara me një hap të përshpejtuar për t’iu bashkuar familjes evropiane në të cilën gjuha jonë maqedonase do të dëgjohet shumë shpejt dhe zyrtarisht”, ka shkruar Kovacevsk në Facebook.

Ai tha se sot i kanë thënë po, ruajtjes së identitetit, gjuhës, kulturës dhe të kaluarës historike maqedonase.

“Sot i themi PO ruajtjes dhe forcimit të identitetit maqedonas, gjuhës maqedonase, kulturës, të kaluarës historike, dhe veçantisë”.

Sipas tij, askush nuk mund të negociojë, në çdo kohë dhe rrethanë për çështjet e identitetit maqedonas.

Ai njoftoi edhe për konferencën e parë ndërqeveritare, që është planifikuar të zhvillohet javën e ardhshme, më 19 korrik, në Bruksel.

“Do t’ia dalim mbanë. Do të punojmë, do të ndërtojmë një vend të fortë, të barabartë, të suksesshëm. Me ju, për ju, në emër të të parëve tanë, për brezat e sotëm dhe të ardhshëm”, ka shkruar tutje ai.