Kosova ndalon spiunen ruse, Sveçla: Tentimi i saj për hyrje dëshmon propagandën ruse

E publikuar: 06/08/2022 21:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla përmes një postimi në Facebook ka shkruar në lidhje me ndalimin e Daria Aslamova, e dyshuar si spiune e inteligjencës ushtarake ruse, e cila po provonte të hynte në Kosovë nga pika kufitare në veri të vendit.

Ai ka thënë se shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares.

Sipas Sveçlës e njëjta ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar mbi pushtimin rus ndaj Ukrainës, përcjell Klankosova.tv.

“Autoritetet e Republikës së Kosovës kanë qenë në dijeni për veprimtarinë e saj por edhe se në disa shtete ajo e ka të ndaluar të hyjë për shkak të veprimtarisë së saj. Me këtë rast, ajo është ndaluar dhe po vazhdon angazhimi i akterëve përkatës deri në zbardhje të qëllimeve të saj”, ka shkruar.

Tutje, ai shkroi se tentimi i saj për të hyrë në vendin tonë i dëshmon qartë siç u shpreh ai lidhjet dhe propagandën ruse të cilës i është bashkuar tashmë Serbia.

“Theksojmë faktin se ajo tenton të hyjë në Republikën e Kosovës një javë pas tensioneve të shkaktuara nga strukturat kriminale në veri të vendit dhe në të njejtën ditë kur të njejtat struktura që orkestrohen nga Vuçiqi kanë shtënë rreth 10 herë drejt zyrtarëve tanë policor. Tentimi i saj për të hyrë në vendin tonë përveç që përkon me zhvillimet në veri të vendit, i dëshmon qartë lidhjet dhe propagandën ruse të cilës i është bashkuar tashmë Serbia dhe që kanë për qëllim destabilizimin e vendit tonë”, thuhet tutje në postimin e tij.