Kosova e Serbia përplasen në Sarajevë për lirinë e lëvizjes së mallrave

E publikuar: 22/06/2019 23:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për shkak të mospajtimit mes Kosovës dhe Serbisë rreth amendamenteve që lidheshin me lirinë e lëvizjes së mallrave, shërbimeve dhe njerëzve brenda rajonit, ka dështuar të miratohet ‘Deklarata e përbashkët përfundimtare Sesionin e gjashtë Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore’, në Sarajevë.

Sesioni Plenar i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, i kryesuar nga Bosnjë e Hercegovina, nuk arriti të miratojë dokumentin kryesor – Deklaratën e përbashkët përfundimtare, sepse delegacionet e Kosovës dhe Serbisë nuk arritën konsensus për amendamentet që lidheshin me lirinë e lëvizjes së mallrave, shërbimeve dhe njerëzve brenda rajonit, si një forcë shtytëse e rritjes ekonomike dhe integrimit në një treg më të gjerë evropian, me rëndësi të veçantë të zbatimit të plotë të rregullave dhe procedurave të CEFTA midis të gjithë pjesëmarrësve të kësaj marrëveshjeje, transmeton Koha.net.

Delegacioni i Kuvendit propozoi plotësimin e amandamentit të propozuar nga delegacioni serb.

“Të gjitha palët duhet t’i respektojnë apo mbështesin plotësisht parimet e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe të pajtohen me marrëveshjet ekzistuese rajonale dhe dypalëshe. Për të ndodhur një gjë e tillë, pjesëmarrësit e SEECP-së zotohen që t’i njohin të gjitha autoritetet zyrtare respektive të vendeve të origjinës së produkteve”.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë nuk u pajtuan me propozimet reciproke, duke paraqitur argumente pro dhe kundër.

Ky amandament tejkaloi agjendën e paraparë, duke hapur një debat të gjatë në mes delgacionit te Kuvendit të Kosovës dhe delegacionit nga Parlamenti i Serbisë.

Sipas rregullores së punës së AP të SEECP-së, vendimet merren me konsensus.

Kosova në Sarajevë u përfaqësua nga delegacioni i përhershëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga nënkryetari Xhavit Haliti, në përbërje të të cilit janë Abdullah Hoti, Glauk Konjufca dhe Ismail Kurteshi.

Tema e sesionit ishte “Lidhje më e mirë për një jetë më të mirë – si të arrihet një ndryshim i madh në procesin e bashkëpunimit rajonal”, që po mbahet në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës.

Nënkryetari Xhavit Haliti në fjalën e tij theksoi domosdoshmërinë e vendosjes dhe thellimit të bashkëpunimit në mes të vendeve pjesëmarrëse të SEECP-së, jo vetëm në nivel rajonal, por edhe në nivel bilateral.

Duke venë në pah pengesat e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, si dhe masave të vendosura nga Bonjë e Hercegovina për qytetarët e Kosovës, mesazhet e urrejtjes së ministrit serb Daçiq dhe komentet raciste të kryeministres Bërnabiq, si dhe rëndësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare, gjithëpërfshirëse, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për një stabilitet afatgjatë politik e ekonomik dhe parakusht që të dy shoqëritë të avancojnë drejt Bashkimit Evropian, Haliti ritheksoi rëndësinë e këtij procesi dhe zotimin e shtetit të Kosovës për dialog, arritjen e marrëveshjes dhe njohjen reciproke.

Sesioni Plenar u parapri nga takimet e komisioneve të përgjithshme dhe Komisionit të përhershëm qendror, të cilat u mbajtën dje në Parlamentin e Bosnjë e Hercegovinës.

Përveç Kosovës, pjesëmarrës në këtë sesion janë edhe delegacionet nga Bullgaria, Turqia, Greqia, Rumania, Serbia, Sllovenia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia.