Kosova dhe Vanuatus nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi

E publikuar: 08/07/2024 13:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Matai Seremaiah, në Port Vila të Vanuatus, kanë nënshkruar Memorandumin për Bashkëpunim në mes këtyre dy ministrive.

Përmes një komunikate të përbashkët të dy ministrive, thuhet se gjatë takimit, zëvendësministri Ahmeti dhe zëvendëskryeministri, Seremaiah, vlerësuan lartë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe diskutuan mbi mundësitë e fuqizimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe koordinimin shumëpalësh.

“Palët diskutuan për zhvillimet e fundit në rajonet e tyre dhe zhvillimet botërore. Të dyja palët theksuan se paqja dhe stabiliteti janë në fokus të të dyja vendeve dhe u pajtuan që ndajnë të njëjtat vlera në këtë drejtim”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, pas takimit, palët nënshkruan Memorandumin për Bashkëpunim midis Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Tregtisë së Jashtme të Republikës së Vanuatus.