Kosova bëhet gati edhe për dozën e tretë të vaksinës kundër Covid-19

E publikuar: 15/10/2021 21:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy doza të vaksinës anti-covid mund të mos mjaftojnë.

Ndaj edhe aplikimi i të tretës po shihet si e nevojshme tek një kategori e caktuar për forcimin e sistemit imunitar ndaj koronavirusit, gjë që tashmë, disa vende të avancuara veçse e kanë nisur këtë proces.

Sipas mjekut-hulumtues Arbër Shehu në Universitetin John Hopkins, pas 6 deri në 8 muaj që nga marrja e dy dozave, mund të mirret edhe e treta.

Mirëpo jo tek të gjithë, vetëm të disa kategori të caktuara siç janë të moshuarit mbi 65 vjeç, ata me imunitet të dobësuar si dhe rekomandohet që një dozë shtesë ta marrin edhe stafi shëndetësorë për shkak të rriskut dhe kontakteve me pacientët.

Megjithatë nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë me dije se Kosova ka ende kohë për këtë, ngase procesin e vaksinimit e ka nisur më vonë.

“Kosova do të jetë gati kurdo që merret vendimi për këtë. Në Kosovë vaksinimi ka nisur me 28 mars 2021 dhe gjasat janë që nga viti tjetër të fillohet edhe me dozën përforcuese apo dozën e tretë, për ato kategori që do të kenë nevojë. Do të veprohet sipas rekomandimeve të OBSH-së dhe ECDC-së, ndërkohë që nuk pritet të ketë probleme rreth përgatitjeve për të filluar një proces të tillë në kohën e duhur,” deklaruan nga Zyra e Mediave e MSh-së.

Aktualisht në Kosovë janë administruar afro 1 milion e 500mijë vaksina.