Koordinatorët me pagë 1270 euro dhe me nga tre këshilltarë

E publikuar: 31/05/2018 15:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Ramush Haradinaj me të ardhur në krye të Qeverisë pati nënshkruar memorandum mirëkuptimi me kryetarin e Këshillit të Rinisë Evropiane të Kosovës Avdullah Hasanin, i njohur si “Dulla”, shkruan “Zëri”.

Përmes këtij memorandumi Hasani u caktua “koordinator për gjeneratën e re”.

Ky memorandum në muajt pasues është përcjellë me emërimin e tre koordinatorëve zyrtarë qeveritarë.

Në mars Besnik Tahiri është emëruar koordinator nacional për reforma shtetërore; ndërsa para dy ditësh djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova, Mendim Rugova, është emëruar koordinator për ndryshime klimatike dhe çështje të ambientit, kurse nënkryetari i PDK-së Rexhep Hoti është emëruar koordinator nacional për kulturë, rini dhe sport.

Këto emërime po vlerësohen si të paarsyeshme dhe ngarkesë për buxhetin e shtetit. Paga mujore e një koordinatori do të jetë e nivelit të pagës së ministrit (1270 euro), shkruan më tutje “Zëri”.

Gjithashtu koordinatori ka të drejtë të caktojë një asistent dhe dy këshilltarë. Sipas opozitës dhe shoqërisë civile, posti i koordinatorit nacional është “shpikur” për të akomoduar njerëz të rëndësishëm të partive, ndërsa thonë se këta koordinatorë janë vetëm për “shpenzim të buxhetit të shtetit”.

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se emërimi i koordinatorëve është vetëm për rehatimin e militantëve partiakë, pasi, sipas tij, nuk ka asnjë arsye të caktohen koordinatorët të cilët në bazë të vendimeve për emërim dhe rregullativës kanë paga të nivelit të ministrave.

“Pra këta janë ministra plus, pavarësisht se nuk drejtojnë ministri, por janë si të themi ministra pa portofol, që e kanë të drejtën e caktimit të tre këshilltarëve. Është një mënyrë sesi ta shpenzojnë buxhetin kot, si të krijojnë pozita kot, që të akomodojnë njerëz të rëndësishëm të partive politike. Nuk kurrfarë arsyeje tjetër që këta të caktohen, pasi edhe ashtu kemi ministra shumë e zëvendësministra edhe më shumë”, ka vlerësuar Mushkolaj.

Sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që të emërohen edhe koordinatorë të tjerë jo për të koordinuar ndonjë punë, por për ta “koordinuar” shpenzimin e buxhetit.

Kurse Valmir Ismaili, nga organizata “Demokraci plus”, ka thënë për “Zërin” se emërimi i këtyre zyrtarëve është krejtësisht i panevojshëm. Ai po ashtu ka theksuar faktin se në këtë mandat janë shtuar edhe dy ministri dhe se numri i zëvendësministrave është shumë i lartë.

“Emërimi i tyre është në kundërshtim edhe me përpjekjet e vetë Qeverisë për reformë të administratës publike, sepse reformë është edhe ulja e fragmentarizmit të administratës publike dhe jo rritja e saj me pozita pa kuptim”, ka vlerësuar Ismaili.

Ai më tej ka thënë se është qasje e gabueshme nëse mendohet që për çdo temë të emërohet një zëvendësministër apo një koordinator, sipas tij, temat janë ato të ministrive dhe për këto tema janë të themeluara ministritë e nuk duhet gjetur “tema” për të arsyetuar emërime të tilla.

“Nëse vazhdohet me këtë qasje, “të gjejmë një temë dhe të emërojmë një koordinator t’i koordinojë punët në mes të institucioneve për atë temë” kjo dukuri nuk do të ketë të ndalur. Ligji për Qeverinë do të duhej ta adresojë pikërisht këtë çështje, ta përcaktojë një organizim të Qeverisë”, ka shtuar Ismaili.

Sipas tij, ajo çka bie në sy është edhe ndarja që bëhet e këtyre pozitave në mes të partnerëve të koalicionit, pra AKK-së, PDK-së dhe “Listës Rugova”. /Zëri/