Kontrolle blic në Portin e Durrësit, çfarë po kërkohet

E publikuar: 21/09/2017 08:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Frika se në kamionët që nisen nga porti i Durrësit drejt porteve italiane, mund të fshihet drogë, ka bërë që policia e portit të Durrësit në mes të ditës të organizojë shërbime të posaçme për kontrollin fizik të tyre.

Informacionet se shoferët e kamionëve transportojnë lëndë narkotike, ka bërë që sot brenda rrethimit të portit të Durrësit policët të marrin në kontroll fizik kamionë të shumtë, madje edhe makina të vogla të cilat kanë qenë në qarkullim brenda në port.

Policia ka bërë jo vetëm kontroll fizik të kabinave të kamionëve por edhe të rimorkiove, ndërsa kontrollit fizik trupor u janë nënshtruar edhe shoferët apo kushdo që është gjetur në kabinë me shoferin e kamionit. Në disa raste, shoferët janë mbajtur larg automjeteve që ngasin, shkruan Durreslajm. Kontrolle të tilla blic që zhvillohen edhe me ndihmën e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë kanë si qëllim goditjen e rasteve flagrante të trafikut të drogës nga porti i Durrësit drejt Europës, trafik ky i cili ka vënë në alarm të gjithë karabinerinë italiane, por edhe politikën e lartë të BE-së.