Kontratat mbi vepër për mbijetesën e bizneseve të reja

E publikuar: 29/06/2021 17:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Punëtorët në Maqedoninë e Veriut kërkojnë që të ulet afati kohor i kontratave për marrëdhënie pune me kohëzgjatje të caktuar, pasi siç thonë, punëdhënësit i keqpërdorin këto kontrata duke i shfrytëzuar punëtorët në moshë më të re dhe pas pesë vjetësh, as sa është kohëzgjatja e tyre, ata nuk bartin asnjë pasojë ligjore nëse i largojnë punëtorët nga puna, pasi pas përfundimit të kontratës punëdhënësi nuk obligohet t’i mbajë në pune.

Organizatat që në fokus kanë të drejtat e punëtorëve, thonë se punëtorët të cilët ishin angazhuar me kontrata mbi vepër, përkatësisht kontrata me kohëzgjatje të caktuar, ishin ata që të parët humbën vendet e punës. Andaj kërkojnë që kohëzgjatja e këtyre kontratave të ulet nga pesë në një vit, përkatësisht punëtorët pas një viti pune të angazhohen me kontrata me kohë të papërcaktuar, në bazë të cilave kontrata për marrëdhënie pune, punëtorët nëse për ndonjë arsye largohen nga puna, atëherë të njëjtit të gëzojnë edhe privilegje financiare për një kohë të caktuar.

Në bazë të ligjit aktual, kontrata me kohëzgjatje të përcaktuar mes punëdhënësit dhe punëtorit mund të lidhet në një kohëzgjatje prej pesë vjetësh.

Lidhja e kontratës së punës për një periudhë të caktuar në bazë të ligjit duhet të justifikohet me arsye objektive, që lidhen me natyrën e përkohshme të detyrës në të cilën punëtori është angazhuar.

Punëtorët thonë se pikërisht këtu qëndron dhe problemi pasi punëdhënësit edhe pas pesë vjetësh për të bishtnuar angazhimin e punëtorëve me afat të papërcaktuar, bëjnë ndryshimin e vendit të punës.

“Për punëtorët jo gjithmonë është më e rëndësishmja paga. Kuptohet, pa keqkuptime, paga paraqet një segment shumë të rëndësishëm, por njëkohësisht segmente shumë të rëndësishme mbeten dhe kushtet e punës dhe siguria që një punëtor i caktuar do të mund të sigurojë ekzistencën në një afat të papërcaktuar, përkatësisht deri në pensionim. Kemi raste kur një punëtor është angazhuar madje më shumë se shtatë apo tetë vjetësh në një kompani pa iu siguruar kontrata e përhershme, thënë kushtimisht, e punës, pasi punëdhënësit kanë gjetur modalitete, duke ndryshuar vendin e punës kanë shmangur zbatimin e ligjit”, sqaron për Radion Evropa e Lirë, Ivan Peshevski, përfaqësues i sindikatave.

Sipas tij shumë problematike mbeten zbrazëtirat ligjore në pjesën e angazhimit të punëtorëve me afat të caktuar kohor, duke pamundësuar madje edhe reagimin e Inspektoratit shtetëror të Punës.

“Për fat të keq nuk mund të intervenojë as Inspektorati shtetëror i Punës, pasi punëdhënësit arrijnë të gjejnë, siç thuhet, vrima në ligj dhe pas pesë vjetësh krijojnë një formulim apo formë tjetër të marrëveshjeve për marrëdhënie pune me punëtorin për të vazhduar edhe pas pesë vjetësh, me afat të caktuar kohor. Duhet theksuar se nuk është problematike vetëm kohëzgjatja në bazë të së cilës angazhohen punëtorët, por në ligj duhet të precizohen edhe kushtet rreth transferimit të vendeve të punës”, thotë Peshevski.

Por, punëdhënësit edhe pse pajtohen se afati ligjor prej pesë vjetësh, që mundëson lidhjen e kontratave në kohë të caktuar është i gjatë, thonë se ky afat nuk duhet shkurtuar jo më shumë se në tre vjet, pasi kompanitë do të ballafaqoheshin me shumë harxhime nëse largojnë punëtorët nga puna.

Angell Dimitrov, kryetar i Organizatës së Punëdhënësve, thotë për Radion Evropa e Lirë se kontratat me afat të caktuar, në njëfarë mënyre paraqesin stimulim për hapjen e kompanive të reja, pasi pronarët e kompanive të reja nuk e dinë nëse do t’u ecë mirë biznesi dhe kanë nevojë që për një periudhë kohore, të angazhojnë punëtorë për një afat të kufizuar kohor, përkatësisht derisa biznesi i tyre të shënojë rritje.

“Nëse nuk do të kenë mundësi kompanitë që të angazhojnë punëtorët në një periudhë kohore të caktuar, të paktën deri në tre vjet dhe nëse ulet pragu në një vit, ashtu siç kërkojnë sindikalistët, ne humbasim shansin e hapjes së kompanive të reja, pasi ato nuk janë të sigurta se si do t’u ecë biznesi, veçanërisht në kushtet që ka imponuar kriza e pandemisë”, thotë Dimitrov.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska tha se për ndryshimet ligjore do të vendoset pas debatit të gjerë, përkatësisht arritjen e një balance mes kërkesave të punëtorëve dhe punëdhënësve.

Lidhja e Sindikatave ka thënë se mbi 90 për qind e ankesave të punëtorëve, kanë pasur të bëjnë me shkeljen e të drejtave të punëtorëve me kontrata për punë në një afat të caktuar.

Kriza e pandemisë COVID-19 edhe më shumë shpërfaqi problemin e punëtorëve të angazhuar me kontrata mbi vepër, pasi ata ishin të parët që humbën vendet e punës, veçanërisht duke i prekur si kategori më të ndjeshme të rinjtë.