Kontrata Kolektive e Arsimit do të zbatohet me përfshirjen e Asociacionit të Komunave

E publikuar: 23/01/2021 11:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kolegjiumi për Arsim ka mbajtur takimin e parë për vitin 2021, ku kryesuesi i Kolegjiumit  Besim Avdimetaj në bashkëpunim me Drejtorët Komunal të Arsimit diskutuan rreth Planit të Punës si dhe për përcaktimin e aktiviteteve në kuadër të koordinimit dhe bashkëpunimit në fushën e arsimit me interes në zbatimin e politikave lokale.

Me pjesëmarrjen e tij Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Ramë Likaj ka shprehur falënderimet për Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe Kolegjiumin për Arsim në kuadër të AKK-së për bashkëpunimin dhe koordinimin e duhur në gjitha proceset për fillimin dhe mbarëvajtjen e mirë të procesit mësimor që nga fillimi i pandemisë.

Një shqetësim i ngritur nga ana e Ministrit Likaj, përfshin respektimin e masave dhe protokolleve të cilat janë hartuar sipas rekomandimeve të IKSHP-së për procesin arsimor. Duke pasur parasysh se ka një lehtësim të masave në kohë fushate, e cila ka ndikuar edhe në sjelljen e përgjithshme të qytetarëve, kujdesi nuk duhet të mungojë në shkolla sepse ende jemi në gjendje pandemie. Andaj respektimi i masave parandaluese sipas protokolle duhet të ketë vëmendjen kryesore të mësimdhënësve në të gjitha institucionet arsimore.

Edhe një herë drejtorët komunal të arsimit shprehën angazhimin në respektimin e masave në të gjitha institucionet, zbatimin e protokolleve dhe rekomandimet e IKSHP-së. Mirëpo duhet të kihet parasysh se fushata politike po ndikon negativisht në klimën e përgjithshme dhe jetën e përditshme, me ketë rast edhe respektimin e masave anticovid.

Në anën tjetër, sfidat në procesin e arsimit komunal mbesin të njëjta për të gjitha komunat, ku në bashkëbisedim edhe një herë u përmendën një varg çështjesh të cilat janë pengesë në zhvillimin e mirëfilltë të procesit mësimor në komuna. Ende komunat ballafaqohen me problemet të cilat rezultojnë si pasojë e Kontratës Kolektive, dhe nga kërcënimet e vazhdueshme buxhetore për komunat kur kemi të bëjmë me shpenzimet të cilat rrjedhin si pasojë e pagave jubilare, të gjitha këto veprime të cilat kërkohet që të mbulohen nga komunat, e që nënkupton implikime buxhetore shtesë për komunat.