Gjatë qëndrimit në Lezhë, kryetari Konjufca vizitoi edhe Memorialin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe vendosi lule pranë vendvarrimit të heroit kombëtar.

Pas nderimeve, kryetari Glauk Konjufca e konsideroi Lidhjen e Lezhës njërën nga tri ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, ndërsa Skënderbeun figurën më të rëndësishme përbashkuese për kombin shqiptar.

“Jemi këtu në njërin prej vendeve historike më të rëndësishme të kombit shqiptar. Kuvendi i Lezhës është njëra ndër tri ngjarjet më të rëndësishme të kombit tonë, ndërsa figura dhe personaliteti i heroit tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu, padyshim që është historikisht më e rëndësishmja për kombin shqiptar. Luftërat e tij të lavdishme por edhe qëndresa e tij madhështore, ndodhen në themel të identitetit dhe vetëdijes sonë kombëtare”, tha Konjufca.

Kreu i Kuvendit të Kosovës shtoi se krahas historisë, qytetarët e Kosovës me Lezhën i lidhë edhe përditshmëria.

“Lezha është një vend shumë i dashur dhe turistik për qytetarët tanë, të cilët vijnë masivisht për pushime dhe këtu gjejnë një mikpritje e cila i frymëzon edhe më shumë për të ardhur në vitet e tjera”, tha Konjufca.