Konjufca takon kryesuesin e OSBE-së, flasin për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE

E publikuar: 15/07/2022 13:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Share:

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë, njëkohësisht kryesues i radhës i OSBE-së, Zbigniew Rau.

Konjufca dhe Rau biseduan për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy shteteve dhe angazhimin e Polonisë në rajon si kryesuese e radhës e OSBE-së. Po ashtu u shkëmbyen mendime rreth punës së legjislativit, progresit që ka shënuar Kosova me ndërmarrjen e reformave në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së shprehjes, demokracisë, sistemit zgjedhor dhe të drejtave të njeriut, si dhe bashkëpunimin e Kuvendit me misionin OSBE-së në Kosovë.

Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohje për mbështetjen e Polonisë dhe intensifikimin e bashkëpunimit, teksa ritheksoi se e ardhmja e Republikës së Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.

Konjufca dhe Rau shprehën gatishmërinë për të çuar më tej marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Polonisë. Po ashtu theksuan si çështje me rëndësi strategjike integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Në takim u vlerësua qëndrimi i kundrejt agresionit të Rusisë në Ukrainë.​