Konjufca priti në takim deputetin britanik, David Lammy

E publikuar: 06/01/2023 13:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim deputetin David Lammy, njëherësh Sekretar i Jashtëm nën hije i Partisë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar.

Në takim u diskutua për marrëdhëniet e mira dypalëshe dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha fushat me interes të përbashkët, si dhe u shkëmbyen mendime në lidhje me zhvillimet aktuale politike në vend, rajon e më gjerë.

Kryetari Konjufca vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar, teksa u shpreh mirënjohës për rolin e saj të veçantë në çlirimin, pavarësinë, shtetndërtimin dhe rrugën integruese euroatlantike të Republikës së Kosovës.

Ai po ashtu kërkoi nga Mbretëria e Bashkuar përkrahje të mëtejme për proceset nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës, duke përfshirë fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Kryetari i Kuvendit dhe deputeti britanik David Lammy ritheksuan përkushtimin për vazhdimin e partneritetit të fuqishëm dhe gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.​