Konjufca kujton 116 të vrarët në Studime: Qytetarët të zemëruar për mungesën e drejtësisë

E publikuar: 02/05/2021 14:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot bëhen 22 vite nga masakra në fshatin Studime të Vushtrrisë ku mbetën të vrarë nga forcat ushtarake të Serbisë, 116 martirë, në mesin e tyre fëmijë, gra dhe pleq. Familjarë i njohin kriminelët e kësaj masakre me emër dhe po kërkojnë drejtësi për më të dashurit e tyre.

Për të nderuar këta martirë në Studime sot erdhi edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Galuk Konjufca, ku tha se drejtësia i ka munguar që 22 vite qytetarëve të fshatit Studime, dhe atyre të gjithë Kosovës.

“Këtu në Studime për të nderuar martirët e renë para 22 viteve e të vrarë nga forcat ushtarake, policore e paramilitare të shtetit të Serbisë. Masakra e Studimës është një akt i gjenocidit që e ka bërë Serbia mbi popullin shqiptar të Kosovës, 116 shqiptar janë vrarë prej forcave të Serbisë duke mos kursyer as fëmijët, as gratë e as pleqtë, që tregon se qëllimi i qartë ka qenë shfarosja e popullit shqiptar të Kosovës, shumicën duke i dëbuar prej Kosovës, një pjesë të madhe duke i vrarë dhe masakruar për të shkaktuar tmerr mbi popullin e Kosovës, që në fund të serbizohej Kosova, që të spastrohej etnikisht… ne përveç që kemi pikëllimin që i kemi humbur më të dashurit tanë, një pjesë e madhe e popullit të Kosovës e ka edhe zemërimin për shkak që nuk ka pasur drejtësi këto 22 vite për këtë gjenocid që e ka përjetuar edhe populli i Studimes, i Vushtrrisë dhe krejt populli shqiptar i Kosovës”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha se familjarët e mbijetuar janë të gatshëm të dëshmojnë, pasi i njohin kriminelët e Masakrës së Studimes me emra.