Konjufca- Haradinajt: Mos i injoro deputetët, “vizatohu” në Kuvend

E publikuar: 02/10/2017 10:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes ka kritikuar kryeministrin Ramush Haradinajn për injorimin që iu ka bërë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Kryeministri tri javë më parë doli para gazetarëve dhe tha se nuk merr pjesë në një seancë ku të pranishëm janë vetëm 31 deputetë. Haradinaj harroi se ishte pjesë e opozitës në legjislaturës së kaluar kur na injoronte Isa Mustafa”, ka thënë Konjufca.

Ai e ka pyetur kryeministrin Haradinaj se a e din ai që me Kushtetutën e Kosovës mjafton që gjashtë deputetë kur të thërrasin interpelancë ai duhet të vizatohet në Kuvend.

Konjufca ka folur edhe për programin e qeverisë Haradinaj duke e kritikuar atë që në thelb.

Ai thotë se Haradinaj ka shpikur ministri vetëm për të rehatur dostat e tij.

“Këtu ngritja e një dore kushton një ministri, në këtë qeveri. Është ajo vota e siguresës që e quaj unë, Teuta Rugova. Domethënë një ministër për një ngritje dore, kur të vije këtu Mocioni i mosbesimit dhe nëse është qu në krah të majtë, Zafir Berisha. Do të thotë është Qeveri e ndërtuar mbi pazare të nivelit të ultë. Është e ulët qe të varemi nga Lista Serbe. Në krijimin e qeverisë u shty seanca për katër orë, me arsye të qartë , ku pritej kthimi i serbëve nga takimi me Vuçiq-in e Gjuriqin”, ka thënë Konjufca.

Ai ka thënë se vizita e parë e kësaj qeverie nuk ka qenë në Shqipëri.

“Vizita e parë ka qenë në Moskë, pra nëse Lista Serbe është pjesë e Qeverisë, ata ditën e dytë kanë qenë atje e kanë falënderuar Putinin për mosnjohje të Kosovës”, ka shtuar Konjufca duke e thënë se Veseli akuzonte Vetëvendosjen, teksa Lista Serbe shkon në Moskë.