Kongresi Panshqiptar Amerikan: Ballkani i Hapur mund të konsiderohet vetëm pasi Kosova të njihet nga Serbia

E publikuar: 19/06/2022 22:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kongresi Pan-Shqiptar Amerikan ka dalur me një komunikatë lidhur me iniciativën “Ballkani i Hapur”, ku ndër të tjera ka thënë se Kosova mund të anëtarësohet aty vetëm pas njohjes nga Serbia.

Po ashtu, në reagim thuhet se kjo nismë nuk bazohet në parimin e barazisë midis vendeve.

Ky është reagimi i plotë:

KPA deklaron se “Ballkani i Hapur” mund të konsiderohet vetëm pasi Serbia të ketë njohur pavarësinë e Kosovës dhe normalizuar marrëdhëniet ndërshtetërore

Uashington, D.C. – 19 Qershor, 2022

Në një deklaratë të lëshuar nga Bordi i Organizatës, Kongresi Panshiptar Amerikan (KPA) nënvizon mbështetjen e çdo iniciative të mirëfilltë që avancon bashkëpunimin rajonal në Ballkan dhe mbështet vlerat liberale siç janë lëvizja e lirë e mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve. Megjithatë, KPA beson fuqimisht se nisma e Ballkanit të Hapur nuk mund të ketë bazë të shëndoshë për aq kohë sa Sërbia kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe refuzon të pranojë fajin për politikën e vet prej dekadash të represionit dhe krimeve të luftës në Kosovë.

Kryetari i Bordit të KPA-së, Dr. Mani Çelaj shtoi: ”Nisma e Ballkanit të Hapur nuk bazohet në parimin e barazisë së anëtarëve. Kjo nismë nuk e konsideron Kosovën si shtet të pavarur dhe kërkon të vendosë hegjemoni ekonomike të Sërbisë mbi rajonin, të ndërtuar përmes politikave që minojnë stabilitetin afatgjatë dhe demokratizimin e Ballkanit Perëndimor. Ballkani i Hapur ofron një platformë për Rusinë dhe Kinën që të zgjerojnë ndikimin e tyre keqdashës përmes Sërbisë në vendet tjera të rajonit që kanë orientim të fuqishëm pro-perëndimor. Si i tillë, Ballkani i Hapur bie ndesh me përpjekjet e ShBA-së për paqen dhe stabilitetin në rajon.

KPA mirëpret deklaratën e të dërguarit të ShBA-së z. Gabriel Escobar se “çdo iniciativë e integrimit ekonomik duhet të përfshijë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si të barabarta”. KPA beson se korniza e vetme për ta arritur këtë integrim ekonomik të barabartë është ajo e Tregut të Përbashkët Rajonal, për të cilën të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë rënë dakord më 2020 në Sofje, e që do të pasohet me një plan ambicioz ekonomik dhe investues prej 30 miliardë eurosh të financuar nga BE-ja dhe që lidhet me perspektivat e anëtarësimit të rajonit në BE.

Prandaj, KPA i bën thirrje kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, që të përqendrojë përpjekjet e tij në mbështetje optimale të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës dhe interesave afatgjata kombëtare të Shqipërisë duke punuar me liderët e Kosovës për të forcuar partneritetin mbi vlerat e përbashkëta dhe aspiratat e ardhshme për integrim në BE.