Komunat veriore të vendit i kthejnë masat e kufizimit

E publikuar: 29/06/2020 19:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shtabet e krizës në komunat e Mitrovicës veriore, Zveçanit dhe Zubin Potokut kanë kthyer disa masa në luftë ndaj përhapjes së koronavirusit. Janë ndaluar tubimet në hapësira të jashtme dhe të brendshme si dhe është kufizuar puna e objekteve hoteliere deri në ora 23:00.

Sipas njoftimit të “radiokontaktplus.org”, masa të njëjta më parë ka vendosur edhe komuna e Leposaviqit.

Në katër komunat në veri të vendit, kryesisht të banuara nga serbët, është ndaluar mbajtja e aktiviteteve sportive, koncerteve e festave, ndërsa është kufizuar puna e klubeve të natës. Objektet hoteliere do të punojnë vetëm deri në ora 23:00.

Për objektet hoteliere është paraparë plotësim i kushteve si, distanca e tavolinave të jetë 1,5 metra; që përreth një tavoline të ulen më së shumti katër persona, pos nëse bëhet fjalë për anëtarë të një familjeje; që të ketë në dispozicion mjete dezifenktuese; që punëtorët të kenë maska dhe dorëza dhe kushte të tjera.

Numri i rasteve me COVID-19 është rritur së fundi në këto komuna, njëjtë si në gjithë Kosovën.