Komiteti i ShSKUK-së për menaxhimin e pandemisë mblidhet sot

E publikuar: 12/07/2022 13:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komiteti për menaxhimin e pandemisë në kuadër të ShSKUK-së do të mblidhet sot në ora 13:00 për të diskutuar për situatën me COVID-19, pas rritjes së numrit të rasteve.Në këtë komitet bën pjesë drejtori i ShSKUK-së Valbon Krasniqi dhe disa drejtues të klinikave të QKUK-së që janë përballur dhe përballen me COVID-19.

Rastet e reja me koronavirus janë rritur dukshëm ditëve të fundit ku tashmë numri i infektimeve ditore është treshifror. Nga COVID-19 janë regjistruar edhe vdekje ku veç në 24 orët e fundit janë konfirmuar dy humbje jete.Ministria e Shëndetësisë dhe IKShPK-ja në vazhdimësi po bëjnë thirrje për kujdes të shtuar ndaj COVID-19 duke rikujtuar se në rajon dhe Evropë është duke u shënuar një valë e re.

Po ashtu po apelojnë për vaksinim me dozën e parë (për ata që nuk janë vaksinuar akoma), dozën e dytë dhe të tretë, dhe dozën e katërt për personat e moshës mbi 60 vjeçare.