Komisioni për Shëndetësi miraton Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale

E publikuar: 16/03/2023 12:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka votuar në mbledhjen e së enjtes Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale.

Kryetarja e këtij komisioni, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, tha se qëllimi i këtij projektligji është që kostoja e barnave në tregun privat të jetë e krahasueshme me vendet e rajonit.

Ajo tutje u shpreh se kjo fushë ndërlidhet me prioritetin e Qeverisë Kurti për sigurimin e barnave të nevojshme me kosto të përballueshme për qytetarët dhe institucionet e Kosovës.

“Ju ftoj që ta votoni këtë projektligj kaq të rëndësishëm pasi është e qartë që në mes të dy leximeve mund ta pasurojmë me propozime apo amandamente eventuale”, tha ajo.

Ndryshe, projektligji në fjalë aprovua nga Qeveria e Kosovës më 8 mars të këtij viti.

Gjatë prezantimit të tij, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka deklaruar se kjo është një politikë e re në mbrojtjen e qytetarëve.

“Kjo nismë rregullon çmimet e produkteve medicinale për qarkulluesit e licencuar farmaceutik me shumicë dhe pakicë, përfaqësuesit e mbajtësve të autorizimit për marketing dhe institucionet publike. Projektligji ka për qëllim që kostoja e barnave në tregun farmaceutik të jetë e përballueshme të jetë e krahasueshme me vendet e rajonit madje edhe më lirë, dhe vendet e tjera referente dhe çmimi i një bari do të jetë njësoj në çdo barnatore”, ka thënë Vitia. /Telegrafi/