Komisioni i Mbrojtjes në Bundestag diskuton sot për Kosovën

E publikuar: 03/08/2022 12:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tensionet e fundjavës në Kosovë janë këtë të mërkurë në rend të ditës së seancës së jashtëzakonshme të Komisionit të Mbrojtjes në Parlamentin Federal të Gjermanisë, Bundestag.

“Para se të gjykoj, dua të informohem në mënyrë më të detajuar”, tha të hënën kryetarja e komisionit, Marie-Agnes Strack-Zimmermann (FDP), raporton Deutsche Welle.

“Prandaj e kam vënë çështjen në rend të ditës në seancën e posaçme të Komisionit të Mbrojtjes”.

Qeveria gjermane ishte shprehur e shqetësuar për situatën në Kosovë qysh në fillim të javës. Ministrja gjermane e mbrojtjes, Christine Lambrecht, SPD, në pranverë pati rastin të njihej vetë nga afër me gjëndjen në Kosovë.

“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO po monitoron gjithashtu nga afër situatën dhe është i gatshëm të ndërhyjë nëse kërcënohet stabiliteti. Bundeswehr-i mbetet i përkushtuar në NATO dhe me KFOR-in për të garantuar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë”, kishte thënë Lambrecht, sipas një deklarate të zëdhënëses së ministres së mbrojtjes, Nadine Krüger.