Komisioni Evropian nuk komenton propozimin e ri për demarkacion

E publikuar: 04/05/2017 10:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni Evropian nuk e komenton propozimin e ri që marrëveshjes së demarkacionit t’i shtohet një aneks, në mënyrë që pas një viti të rishikohet. E rëndësishme mbetët që kjo marrëveshje të ratifikohet në mënyrë që komisioni të jap dritën e gjelbër qytetarëve të Kosovës për të lëvizur lirshëm.

Katarzyna Kolanko nga Zyra e Komisionit Evropian për Indeksonline ka thënë se Komisioni Evropian është i vetëdijshëm për rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, por që nuk komenton mbi iniciativat e mundshme lidhur me përmbushjen e kritereve të nevojshme për liberalizimin e vizave.

“Komisioni është plotësisht i vetëdijshëm për rëndësinë e liberalizimit të vizave për popullin e Kosovës, por nuk komenton mbi iniciativat e mundshme lidhur me përmbushjen e kritereve të nevojshëm për liberalizimin e vizave. Në një takim me Presidentin Thaçi më 9 shkurt, Presidenti Juncker përgëzoi përparimin që ka bërë kohët e fundit Kosova, duke përfshirë edhe të dhënat e rasteve të nivelit të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Kolanko nga zyra e Komisionit në një përgjigje për Indeksonline.

Me tutje, nga kjo zyre janë shprehur se Komisionit Evropian i vlerëson përpjekjet që Kosova ka për ta ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit, duke ripërsëritur edhe njëherë se kusht i liberalizimit është ratifikimi i kësaj marrëveshje nga ana e Kosovës.

“Komisioni gjithashtu njeh përpjekjet që Kosova ka bërë për të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Siç është paraparë në propozimin legjislativ të Komisionit të majit 2016, ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është një kërkesë për liberalizimin e vizave. Është shumë e rëndësishme që ky proces të përfundohet në mënyrë që Komisioni të japë dritën e gjelbër për bashkë-ligjvënësit” është shprehur Katarzyna nga KE.

Në fund ajo ka përmendur edhe takimin e komisionerit Avramopulos me kryeministrin Mustafa, duke thënë se Avramopulos ka thënë që sa me shpejtë të votohet marrëveshja me Malin e Zi.

“Javën e kaluar komisioneri Avramopulos u takua me kryeministrin Mustafa për të diskutuar hapat përfundimtarë të nevojshëm për të përmbushur kërkesat e mbetura të dialogut të liberalizimit të vizave me Kosovën. Komisioneri inkurajoi Kryeministrin Mustafa, qeverinë e tij dhe partitë politike që së shpejti të vazhdojnë me votën mbi marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi në Kuvend” ka shtuar në fund Kolanko nga KE.

Ndryshe, deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, ka propozuar që marrëveshjes së shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi, t’i shtohet një aneks, që lë hapësirë që pas një viti kjo marrëveshje të rishikohet.

Mirëpo, ky propozim nuk ka gjetur mbështetjen e partive politike./Indeksonline L.Th