Koci tregon se a ndikojnë zgjedhjet në funksionalizimin e Speciales

E publikuar: 24/05/2017 11:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Muaji qershor do të duhej të ishte muaji kur Gjykata Speciale do të nisë punën e saj, me seli në Hagë.

Por, pikërisht në këtë muaj, rrëzimi i Qeverisë Mustafa bëri që vendi të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme më 11 qershor, shkruan Indeksonline.

Lidhur me këtë, avokati i njohur, Arianit Koci ka thënë se zgjedhjet nuk ndikojnë fare në funksionalizimin e kësaj gjykate.

Ai në një prononcim për Indeksonline ka theksuar se vetëm nëse gjykata do të niste punën para mbajtjes së zgjedhjeve, situata do të ishte ndryshe.

“Gjykata Speciale e ka dinamikën e vet vepruese, dhe fare nuk ndikohet nga zgjedhjet.  Mund të ndodhë e kundërta. Nëse është paraparë që të filloj me veprime konkrete Gjykata para çertifikimit të zgjedhjeve, atëherë sigurisht se kjo do të ndikoj në zgjedhje. Kushdo që akuzohet, do të eliminohet politikisht, edhe pse në këtë fazë për të pandehurit vlen prezumimi i pafajësisë”, ka shtuar Koci.

Ai ka thënë tutje se nuk e di kur do të nis punën specialja dhe se këtë nuk e di saktë pothuajse askush pos prokurorisë.

“Nuk e di saktësisht se kur pritet të ngritën aktakuzat e para. Besoj që askush nuk e din përpos Prokurorisë. Deri me tani procesi është udhëhequr në mënyrë profesionale, dhe nuk ka rrjedhur asnjë informatë për të akuzuarit eventual”, ka bërë të ditur Koci.

Sidoqoftë, Koci ka përsëritur se ka qenë kundër kësaj Gjykate në këtë formë, për shkak se siç ka thënë ai, po hetohet dhe gjykohet vetëm njëra pale.

“Por tani, pasi që deputetët tanë e kanë votuar, nuk ka kthim prapa. Duhet të kalojmë nëpër këtë proces”, ka përfunduar Koci.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në gusht të vitit 2015-të, kanë votuar ndryshimet kushtetuese, që i hapin rrugën themelimit të Gjykatës Speciale për krime lufte.

Sa i përket personave që do të jenë të akuzuar në Gjykatën Speciale, askush me saktësi, përveç prokurorit nuk i di këto të dhëna.