KMLDNJ për plagosjen në Shtërpcë: Mos e paragjykoni rastin, të përfundojnë hetimet

E publikuar: 07/01/2023 15:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Kosovë ka kërkuar që të përfundojnë hetimet për rastin e plagosjes së dy qytetarëve në Shtërpcë dhe të mos kërkohet përgjegjësi kolektive.

Në një deklaratë për media, KMLDNJ thotë se ky rast s’është dashur të politizohet dhe se s’mund të kërkohet dorëheqja e ministrit të Mbrojtjes apo të Ministrit për Punë të Brendshme meqë thotë se duhet të trajtohet si rast individual.

“KMDLNj pret dhe është i sigurt se ky rast do të trajtohet në përputhje me standardet profesionale dhe ligjeve në fuqi. KMDLNj e rikujton opinionin se edhe në këtë rast vlen parimi i përgjegjësisë individuale , si i tillë duhet të trajtohet andaj është e papërgjegjshme të ngarkohet me përgjegjësi kolektive një institucion siç është Forca e Sigurisë e Kosovës apo të kërkohet dorëheqja e ministrit të Mbrojtjes apo të Ministrit për Punë të Brendshme”, thuhet në deklaratë.

KMLDNJ ka kritikuar edhe mënyrën e reagimet nga akterë të ndryshëm të politikës për plagosjen e një fëmije dhe një të riu të etnisë serbe në Shtërpcë derisa ishin duke festuar.

“Menjëherë pas këtij akti të rëndë erdhën reagimet e ndërkombëtarëve dhe politikanëve të Kosovës që bënin gara se kush do të reagonte më ashpër dhe se kush do ta cilësonte këtë vepër më kriminale duke paragjykuar edhe motivin e plagosjes së dy të rinjve serbë, ende pa filluar hetimet e lëre më që ato të kishin përfunduar. Në të njëjtën kohë pasuan edhe reagimet nga politikanët e Serbisë, duke filluar nga Aleksandar Vuçiq e deri te vajtuesi kujdestar për fatin e serbëve në Kosovë, Petar Petkoviq ndërkaq që popi Teodosije i vizitoi të plagosurit në Graçanicë duke ia dhënë një rend të reagimeve, në valle me politikanët”.

KMLDNJ thotë se është e qartë se ekziston një mosbesim i madh, kryesisht i shkaktuar nga politikanët dhe politika midis shqiptarëve dhe serbëve.

“Pikërisht këto raste tragjike iu shërbejnë si oksigjen politikanëve dhe politikës për t’i mirëmbajtur këto ndasi ndërsa ndërkombëtarëve për të bërë dhe shtuar presionin. E mira e së mirës do të ishte që të plagosurit të dërgoheshin në Spitalin në Ferizaj e jo që edhe trajtimi i tyre të politizohet”.

“KMDLNj përgëzon policinë e Kosovës për reagim të shpejtë dhe të suksesshëm për arrestimin e personit të dyshuar për plagosjen e dy të rinjve serbë dhe pret që institucionet e drejtësisë, pas procedimit të provave të marrin vendim për caktim të shkallës së përgjegjësisë e jo në bazë të presionit dhe ndërhyrjes së politikës , ndërkombëtare dhe vendore në formë të reagimeve të ashpra duke përdorur retorikën politike, në vend të argumentit dhe mosndërhyrjes në punën e hetuesisë dhe gjyqësorit. Sidomos është e palejueshme zbatimi i standardeve të dyfishta edhe gjatë reagimeve”.

KMDLNj iu beson institucioneve përgjegjëse për trajtim të këtij rasti andaj është kundër çdo paragjykimi të rastit deri në kohën kur të merret një vendim një vendim i formës së prerë të gjykatës përkatëse.

“Nga aspekti i të drejtave të njeriut ky akt vetëm sa e shpërfaq mungesën e sigurisë dhe KMDLNj shpreh keqardhje për plagosjen e dy të rinjve serbë duke iu uruar shërim të shpejtë dhe të suksesshëm”./Express/