Kjo është shuma e tmerrshme e parave që ka shpenzuar Kadri Veseli dhe deputetët e Kuvendit (Video)

E publikuar: 16/05/2017 09:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Raporti financiar për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor të vitit 2016 evidenton shpenzime të mëdha të ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe të deputetëve.

Ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, për udhëtime zyrtare jashtë vendit, vetëm për 3 muaj, për bileta ka shpenzuar 6 mijë e 404 euro, raporton KTV.

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, që është edhe kryetar i Komisionit për Stabilizim Asociim, ka shpenzuar për bileta 2 mijë 966 euro.

Nënkryetarja tjetër e Kuvendit, Aida Dërguti, ka shpenzuar 479 euro për bileta udhëtimi.

Në bazë të raportit financiar për tre muajt e fundit 2016, më së shumti mëditje ka marrë Xhavit Haliti, në vlerë prej 3 mijë 758 euro. Kurse, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka marrë 435 euro mëditje.

Nënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti për mëditje është paguar 947 euro. Shefja e Grupit Parlamentar të Nismës, Valdete Bajrami, për mëditje në udhëtime zyrtare jashtë vendit është paguar 788 euro.

Afërsisht me këtë shumë të mëditjes është paguar edhe deputeti i LDK-së Arben Gashi me 780 euro.

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, në një përgjigje me shkrim, ka komentuar shpenzimet financiare të udhëtimeve dhe mëditjeve.

Përveç vonesave në publikimin e raporteve financiare, Kuvendi i Kosovës kur i publikon këto raporte ka edhe shumë paqartësi. Në reagim të këshilltarit të Kadri Veselit, Avni Bytyçi, thuhet se bileta në vlerë 7 mijë e 421 e 99 cent është paguar së bashku me 4 zyrtarë të tjerë. Kjo është evidentuar edhe në raportin financiar.

Edhe bileta e udhëtimit në vlerë prej 3 mijë e 30 euro është paguar për 5 persona.

Se ka paqartësi në publikimin e raporteve financiare e thonë edhe monitorues të punës së Kuvendit.

Një drektë zyrtare e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, më 24 tetor, i ka kushtuar buxhetit 237 euro e 10 cent.