Kjo është gjendja e policëve dhe qytetarëve që kërkuan ndihmë mjekësore

E publikuar: 13/10/2021 12:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të mërkurën, më 13 tetor qytetarët në veri të Kosovës po kundërshtojnë një aksion të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave.

Drejtoresha e spitalit në Mitrovicën e Jugut, Luljeta Zhubi tha për Radion Evropa e Lirë se deri më tani dy policë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Ata janë duke u ekzaminuar për të parë se çfarë lloji të lëndimeve kanë pësuar.

Ndërkaq, sipas drejtorit të Qendrës Shëndetësore në Mitrovicë të Veriut, Zllatan Ellek gjashtë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi kanë kundërshtuar aksionin policor.

Ai nuk specifikoi për çfarë lëndimesh bëhet fjalë sepse sipas tij, “pacientët janë në fazën e diagnostikimit”.

“Lëndimet janë shkaktuar nga bombat zhurmuese, ata aktualisht janë në departamentin e pranimit në kirurgji.
Ekzaminimi është duke u zhvilluar, që do të thotë lëndime nga bomba zhurmuese dhe gaz lotsjellës”, tha Ellek për Radion Evropa e Lirë.