Bashkëpunimi Kinë-BE favorizon të dyja palët

E publikuar: 30/09/2021 10:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi dhe Komisionari i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë i BE-së Josep Borrell drejtuan bashkërisht nëpërmjet lidhjes me video raundin e 11-të të dialogut të lartë strategjik Kinë-BE.

Wang Yi tha që BE-ja është shprehur shumë herë që e mirëpret zhvillimin e Kinës, nuk synon konfrontimin dhe nuk do të marrë pjesë në çfarëdo forme të “Luftës së Ftohtë të re”. Kina e vlerëson një gjë të tillë. Josep Borrell u shpreh nga ana e tij që marrëdhëniet mes BE-së dhe Kinës janë të pjekura, në shumë nivele dhe jo konfrontuese. Sipas tij, zhvillimi i marrëdhënieve me Kinën është një agjendë e rëndësishme e BE-së.

Ditët e fundit, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping mori pjesë nëpërmjet lidhjes me video në debatet e zakonshme të sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke paraqitur propozimet e tij mbi zhvillimin global. 

Josep Borrell u shpreh që BE-ja mirëpret propozimin e paraqitur nga kryetari Xi Jinping, që do të luajë një rol të rëndësishëm në mëkëmbjen ekonomike globale dhe eliminimin e varfërisë. Ndërkohë, ai vlerësoi lart vendimin e shpallur prej Kinës për mosndërtimin e termocentraleve me qymyrgur jashtë vendit, duke thënë që kjo do të ndihmojë vendet në zhvillim të realizojnë zhvillimin me lëshim të ulët karboni.
Bota e sotme po përballet me një sërë sfidash, si përhapja e epidemisë së COVID-19, vështirësitë e rimëkëmbjes ekonomike, ndryshimi i klimës dhe rruga e gjatë për zhdukjen e varfërisë. Bashkësia ndërkombëtare ka nevojë urgjente për unitet dhe bashkëpunim.

Si dy qytetërime, dy fuqi dhe dy tregje kryesore të botës, Kina dhe BE -ja kohët e fundit kanë komunikuar shpesh për disa çështje kryesore dhe kanë arritur konsensus në shumë çështje. Kjo do të ndihmojë që të dyja palët të rrisin mirëkuptimin e ndërsjellë, të zgjerojnë besimin reciprok dhe të pakësojnë gjykimet e gabuara. Wang Yi dhe Borelli thanë se të dyja palët do të përgatiten për fazën tjetër të dialogut në nivelit të lartë Kinë-BE, duke i shtuar energji të re zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe.