Kina shënon numrin më të madh të rasteve me Covid-19 që nga prilli

E publikuar: 28/07/2020 09:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë 24 orëve të kaluara, Kina i ka regjistruar 68 raste të reja të koronavirusit. Kjo shifër u rrit për të katërtën ditë radhazi dhe paraqet numrin më të lartë të të infektuarve për një ditë që nga muaji prill.

Kina po përballet me kthimin më të ashpër të Covid-19 në disa muaj, që është shkaktuar nga rastet në rajonin e skajshëm perëndimor, Xinjiang, dhe nga një përhapje e re në pjesën verilindore të vendit, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Nga rastet e reja të 27 korrikut, 57 u shënuan në Sinjiang, sipas deklaratës së Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë. Kjo e çon në 235 numrin e përgjithshëm të rasteve në rajon që nga rasti i parë i raportuar më 16 korrik.

Për ta parandaluar përhapjen e virusit, Xinjiangu dhe Daliani kanë testuar miliona njerëz për koronavirus, por sëmundja po vazhdon të përhapet.

Pekini i raportoi dy raste të reja. Njëri rast ishte i lidhur me Dalianin, ndërsa tjetri i ardhur nga jashtë. Këto ishin rastet e para të reja në kryeqytetin kinez për më shumë se tri javë.

Deri të hënën, Kina i ka regjistruar 83,989 raste të infektimeve dhe 4,634 të vdekur nga koronavirusi.