Kina përmirëson softuerin “BeiDou” për shërbim të optimizuar global

E publikuar: 02/08/2022 12:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

U mbushën dy vjet nga 31 korriku i vitit 2020, kur u paraqit për herë të parë Sistemi i Navigimit Satelitor “BeiDou” (BDS) i krijuar në mënyrë të pavarur nga Kina.

Tashmë niveli i BDS-së po ngrihet vazhdimisht për të ofruar shërbime pararojë në botë për klientët globalë, duke përmirësuar vazhdimisht sistemin e shërbimit dhe duke e vënë theksin te epërsitë teknologjike.

Deri më tani ka 45 satelitë “BeiDou” në orbitë dhe vëllimi i sistemit industrial BDS i kaloi 400 miliardë juanët (62.92 miliardë dollarë) deri në fund të periudhës së planit të 13-të pesëvjeçar (2016-2020). Kina përfundoi ndërtimin e sistemit të vet të parë industrial BDS pas 27 vjetësh pune, njoftoi Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe i Reformës më 7 prill të këtij viti.

Gjatë përmirësimit të fundit të softuerit orbital “BeiDou”, inxhinierët kinezë pastruan nga viruset kompjuterike shumicën e satelitëve të sistemit, për të pakësuar defektet e rastit, për të arritur përshkallëzimin teknik dhe për të përmirësuar funksionimin e qëndrueshëm të satelitëve në orbitë, si dhe aftësinë e tyre për vetëndreqje.

Ndërkohë, edhe shërbimet e komunikimit me mesazhe të shkurtra, duke përfshirë funksionet e reja të telefonit celular dhe zgjidhjet e teknologjisë satelit-Tokë të ofruara nga BDS-3, kanë përparuar nga aplikimi industrial në atë publik, sipas një konference të mbajtur në Pekin më 30 korrik.

BDS-ja është sistemi më i madh kinez i bazuar në hapësirë dhe një nga katër rrjetet globale të navigimit së bashku me GPS-in e ShBA-së, GLONASS-in e Rusisë dhe “Galileo”-n e Bashkimit Evropian.

Në vitet e ardhshme, Kina do të zhvillojë më tej platformat e shërbimit publik për kërkimin dhe zhvillimin e aplikimit të BDS-së, testimin, certifikimin dhe dhënies e lejes së përdorimit, për të optimizuar sistemin global të shërbimit BDS.

Kina do të zhvillojë shërbimin e mesazheve të shkurtra të BDS-së dhe elementet e tjera, për të krijuar një platformë globale të shërbimit publik për kërkimin e shpëtimin emergjent, si dhe alarmin e rrezikut, duke ofruar shërbime të qëndrueshme për të gjithë përdoruesit brenda e jashtë vendit.
Islam Morina