Kina është e përkushtuar për përdorimin paqësor të hapësirës

E publikuar: 30/04/2022 12:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes Kombëtare Tan Kefei tha se : Kina është e përkushtuar për përdorimin paqësor të hapësirës, nxit në mënyrë aktive parandalimin e armëve dhe garën e armatimit në hapësirë dhe promovon bashkëpunimin ndërkombëtar hapësinor .

Sipas tij, për të promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar, Kina ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me një numër agjencish dhe organizatash ndërkombëtare hapësinore, të cilat janë vlerësuar lart nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Çështjet Hapësinore.

Administrata Kombëtare e Hapësirës e Kinës (CNSA) tha kohët e fundit se po planifikohen më shumë se 60 lëshime hapësinore në vitin 2022, ndërsa synohet të angazhohet më tej në eksplorimin jashtëtokësor dhe të përfundojë ndërtimin e stacionit të vet hapësinor. Sipas CNSA-së, nisjet për në hapësirë sivjet do të përfshijnë gjashtë fluturime hapësinore me astronaut e dy misione të anijeve kozmike të mallrave dhe lëshimin e dy moduleve laboratorike.

Ky vit shënon 30-vjetorin e programit hapësinor të Kinës dhe është gjithashtu një vit kur Kina do të përfundojë ndërtimin e stacionit të vet hapësinor dhe do të vijojë përpjekjet për të ndarë rezultatet e arritura prej saj me vendet e tjera.

Ndërkohë, deri tani,“Zhurong”, roveri i sondëssë parë ndërplanetare të Kinës “Tianwen-1”, ka punuar në sipërfaqen e Marsit për më shumë se 300 ditë, duke dërguar një sasi të madhe të dhënash, dhe është gati për më shumë bashkëpunim ndërkombëtar në eksplorimin e “planetit të kuq”, theksoi një prej kryeprojektuesve të sondës.

Në maj 2021 sonda kineze e Marsit “Tianwen-1” u ul me sukses në “planetin e kuq”, duke marrë me vete roverin “Zhurong”.

Pas uljes, roveri i Marsit përfundoi me sukses një test komunikimi rele në orbitë me “Mars Express”-in e Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA), duke hedhur themelet për bashkëpunim të mëtejshëm ndërkombëtar.

“Zhurong”-u ia dërgoi të dhënat e testimit “Mars Express”-it në një largësi prej afro 4 000
kilometrash. Komunikimi zgjati 10 minuta.

Rezultatet e analizës së të dhënave treguan se ndërfaqet e pajisjeve të komunikimit rele të “Zhurong”-ut dhe “Mars Express”-it përputheshin dhe plotësonin standardet ndërkombëtare, dhe përmbajtja e të dhënave të transmetuara ishte e plotë dhe e saktë.