Kina do të lejojë plotësisht investimet e huaja në prodhimin e automjeteve të udhëtarëve

E publikuar: 30/12/2021 13:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kina do të heqë kufizimet e përqindjes së aksioneve ndaj investimeve të huaja në prodhimin e automjeteve të udhëtarëve qysh nga 1 janari i vitit 2022.

Edhe kufizimi që një kompani e huaj mund të krijojë jo më shumë se dy ndërmarrje të përbashkëta që prodhojnë automjete të tilla në Kinë do të hiqet, sipas një liste negative të publikuar të hënën, duke sinjalizuar se ky sektor do të hapet plotësisht ndaj kapitalit të huaj.

Lista, e njohur zyrtarisht si Masat e Posaçme Administrative për Hyrjen e Investimeve të Huaja (varianti i vitit 2021), ose si Lista Negative Kombëtare 2021, u publikua bashkërisht nga Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës i Kinës dhe Ministria e Tregtisë, së bashku me Masat e Posaçme Administrative të Zonës së Tregtisë së Lirë për Hyrjen e Investimeve të Huaja (varianti i vitit 2021), të njohura si Lista Negative e Zonës së Tregtisë së Lirë 2021.

Këto dy lista negative detajojnë sektorët ku investimet e huaja ndalohen ose kufizohen, dhe do të hyjnë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës tha se ky rishikim synon lehtësimin e mëtejshëm të hyrjes në treg të investimeve të huaja, duke hequr krejtësisht kufizimet e prodhimit në Listën Negative të Zonës së Tregtisë së Lirë.