Kina dërgon me sukses anijen kozmike të mallrave “Tianzhou-4” për në stacionin hapësinor

E publikuar: 10/05/2022 13:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kina nisi anijen kozmike “Tianzhou-4” të martën për të dërguar furnizime në stacionin hapësinor kinez, i cili planifikon të përfundojë këtë vit.

“Tianzhou-4”, e bartur nga raketa “Marshimi i Madh-7 Y5”, u nis nga Qendra e Lëshimit të Anijeve Kozmike e Wenchang-ut në provincën ishullore jugore të Hainan-it në 1:56 të mëngjesit sipas orës së Pekinit, bëri të ditur Agjencia e Fluturimeve Hapësinore me Astronautë e Kinës.

Ashtu si fluturimet e mëparshme me ngarkesë, “Tianzhou-4” mbart tre kategori furnizimesh, duke përfshirë furnizime për gjashtë muaj për jetesën e astronautëve, pjesë për mirëmbajtjen e stacionit hapësinor dhe pajisje të kërkimeve hapësinore.

“Tianzhou-4” do të përdorë teknologjinë e lidhjes së shpejtë dhe do të duhen 6.5 orë që të bashkohet me stacionin hapësinor, tha Li Zhihui, zëvendëskomandanti i sistemit të anijeve kozmike të mallrave të Institutit Kërkimor Nr. 5 pranë Korporatës së Shkencës dhe Teknologjisë Hapësinore të Kinës.

Ai shpjegoi se, pas ndarjes nga raketa, anija kozmike e mallrave do të lëvizë nga orbita e perigjeut në atë të stacionit hapësinor me anë të drejtimit autonom me rreze të gjatë dhe kontrollit autonom me rreze të afërt për të arritur lidhjen e shpejtë.

“Drejtimi autonom me rreze të gjatë do të realizohet nëpërmjet një ndryshimi orbital të mundësuar nga motori reaktiv, i cili do ta çojë anijen kozmike të mallrave ‘Tianzhou’ nga një orbitë perigjeu 200 kilometra të lartë në një orbitë të stacionit hapësinor 393 kilometra. Më pas anija kozmike e mallrave do të hyjë në fazën e kontrollit autonom, gjatë së cilës do të lidhet me modulin bazë pasi të kalojë në katër pika lidhjeje, përkatësisht 5 kilometra, 400 metra, 200 metra dhe 19 metra larg stacionit hapësinor. I gjithë procesi do të zgjasë 6.5 orë,” bëri të ditur Li.

Pesë misione të tjera fluturimi në hapësirë do të kryhen këtë vit për të përfunduar ndërtimin në orbitë të stacionit hapësinor të Kinës.

Anija kozmike “Shenzhou-14” do të çojë tre astronautë në stacionin hapësinor në qershor, ku do të qëndrojnë në modulin bazë për gjashtë muaj. Moduli laboratorik “Wentian” do të lidhet me modulin bazë “Tianhe” në korrik, dhe moduli laboratorik “Mengtian” do të lidhet me modulin bazë në tetor, për të përfunduar ndërtimin në orbitë të një stacioni hapësinor në formë T-je.