KGJK-ja i kthen përgjigje KQZ-së: Të dhënat për 47 kandidatët e dënuar janë të sakta

E publikuar: 22/01/2021 17:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Meqenëse janë ngritur dilema ndaj Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Valdete Daka ka treguar shkresën që i ka dërguar KGJK-ja lidhur me verifikimin e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 14 shkurtit, raporton Ekonomia Online.

“Pra ne e kemi shtyrë pikën e rendit të ditës pasi që ka qenë e nevojshme me i pas disa shkresa dhe sa për informatën e Kurteshit unë i nënshkruaj të gjitha shkresat e KQZ-së. Meqenëse u ngritën dilema ndaj shkresës së KGJK-së, kam kërkuar që të na tregojë se a kanë qenë këto shënime të sakta dhe se a kanë gabime”, tha Daka.

Daka ka lexuar edhe shkresën nga KGJK-ja, me kërkesë të KQZ-së lidhur me verifikimin e kandidatëve.

“Shkresa që na ka ardhur thotë se verifikimi i kandidatëve është bërë në bazë të dhënave që na kanë ardhur dhe regjistrohen të gjitha sanksionet dhe paraprakisht kemi kërkuar konfirmim nga të gjitha gjykatat e vendit dhe se të dhënat janë të sakta dhe të gjitha dënimet janë proceduar në sistem”, shtoi ajo.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në këtë mbledhje do të votoj për certifikimin e kandidatëve për deputetë, pasi Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim i ka propozuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të certifikojë të gjithë kandidatët për deputetë.