Këto janë kontratat milionëshe për lobim për të cilat po kërkohet hetim

E publikuar: 17/04/2018 15:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Institucionet e Kosovës, përgjat viteve kanë shpenzuar miliona euro në kontraktimin e kompanive amerikane për shërbime këshillëdhënëse dhe lobim.

Por ndonëse, janë shpenzuar miliona euro për kompanitë “Patton Boggs”, “Alston Bird” dhe “Ballard Partners”, për këshilla dhe lobim, për të cilat ka raportuar në vazhdimësi Gazeta Insajderi, nuk ka pasur transparencë dhe kanë munguar sukseset.

500 milionë euro për “Patton Boggs”

Insajderi ka shkruar se si kompania “Patton Boggs” që këshillohet nga ish-diplomati, Frank Wisner kishte raportuar në Departamentin Amerikan të Drejtësisë se gjatë vitit 2016 se ka marrë qindra mijëra euro nga Qeveria e Kosovës. Mirëpo, në raportet e dorëzuara shënohet se kompania nuk ka raportuar për asnjë aktivitet lobimi në interes të Qeverisë së Kosovës.

Derisa tek rasti i Kosovës tregohet se paratë janë marrë përkundër mungesës së aktiviteteve të raportuara, ndryshe ishin të dhënat për shtetet tjera.

“Patton Boggs” tregon në raport se nuk ka marrë para nga shtetet tjera për të cilat nuk ka deklaruar aktivitete lobimi të realizuara gjatë vitit 2016.

Kompania e këshilluar nga Wisner, prej vitit 2011 ka përfituar afër 2 milionë euro nga Qeveria e Kosovës. Obligim i saj ka qenë ‘forcimi i marrëdhënieve Kosovë-ShBA, nxitja e investimeve amerikane në Kosovë’.

Në gjashtë mujorin e parë ajo ishte paguar me shumën prej mbi 25 mijë euro derisa në gjashtë mujorin e dytë të vitit 2016 kishte marrë shumë më shumë. Kompania ka raportuar se më 16 nëntor e ka pranuar një pagesë prej 354 mijë e 337 dollarëve. Tri javë më pas, më 7 dhjetor 2016, e ka pranuar një pagesë tjetër në vlerë prej 189 mijë e 532 dollarësh amerikanë.

2.3 milionë euro për “mikun e madh të shqipëtarëve”

Në fillim të vitit të kaluar kompania amerikane “Alston Bird”, që këshillohet nga ish-senatori Bob Dole i cili e mban epitetin ‘miku i madh i shqiptarëve’, kishte fituar tender 2 milionë e 300 mijë eurosh nga Qeveria e Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme, nëpërmjet një tenderi të negociuar që nuk lejon konkurrencën e pati shpallur fitues vitin e kaluar kompaninë amerikane “Alston Bird”, këshilltar special i së cilës është ish-senatori Bob Dole.

Njoftimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, i publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik tregon se vlera e përgjithshme e kontratës tri vjeçare me kompaninë “Alston Bird LLC”, me bazë në Uashington parashihet të jetë në vlerë prej 2 milionë e 340 mijë eurosh.
Ndërsa si vlera vjetore është paraparë të jetë në shumë prej 780 mijë eurosh, ndërsa vlera mujore në vlerë prej 65 mijë eurosh.

Kontrata parasheh që kompania amerikane e përfaqësuar nga Bob Dole, të kryejë disa shërbime speciale për Presidencën dhe Qeverinë e Kosovës.
Kontrata parasheh që kompania amerikane të bëjë sigurimin e informacionit të shpejt dhe cilësor, sigurimi e këshillave dhe analizave të ndryshme, identifikimi e zyrtareve ndërkombëtar vendimtar në strategjinë e lobimit dhe ndikimin mbi sektorë dhe zyrtarë me qëllim realizimin e interesave te Republikës së Kosovës.

Po ashtu kompania do të koordinohet ngushtë me Presidencën, Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Punëve te Jashtme dhe Qeverinë e Republikës se Kosovës për arritjen e qëllimeve të synuara.

Thaçi gjysmë milionë euro për lobuesin e afërt me Trump

Gjatë dhjetorit të vitit të kaluar derisa u mor iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale nga tre liderët Hashim Thaci, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj, presidenca përgatitit tenderin për një tjetër kompani amerikane për lobim.

Gjysmë milionë euro të buxhetit të Kosovës planifikohet të shpenzohen për imazhin e presidentit Hashim Thaçi. Presidenca ka përzgjedhur një kompani lobuese të udhëhequr nga Brian Ballard, i cili shquhet si një prej njerëzve më të afërt të presidentit amerikan, Donald Trump

Presidenca kishte shpallur fitues me 22 dhjetor kompaninë “Ballard Partners”, të udhëhequr nga Brian Ballard, një lobues i afërt me presidentin amerikan Donald Trump.

Sipas njoftimit të Presidencës, kontrata mes shtetit të Kosovës dhe kompanisë së Brian Ballard peshon 517 mijë e 198 euro.

Kompania obligohet që të ofrojë shërbime të konsulencës për Zyrën e Presidentit të Kosovës. Dokumenti tregon që nuk ka pasur tender të hapur për angazhimin e lobistëve. Kompania e Ballard ka qenë i vetmi konkurrent, nëpërmjet procedurës së negociuar/të mbyllur.

Kjo kompani ka bazën në Florina dhe presidenti i saj është një prej njerëzve më të afërt të presidentit Donald Trump.

Brian Ballard është një prej mbledhëseve kryesor të fondeve për fushatën presidenciale të Trump. Pas fitores së Trump, kompania ka hapur zyre edhe në Ëashington dhe ka shënuar suksese në nënshkrimin e kontratave të lobimit me subjekte që dëshirojnë të afrohen me administratën e Trump.

LDK kërkon hetim

Për të gjitha këto sot Grupi Parlamentar i LDK-së ka proceduar kërkesën për themelimin e Komisionit hetimor, i cili sipas LDK-së do të hetojë shpenzimet pa bazë ligjore për aktivitete lobuese të Presidencës dhe Qeverisë.

“Ky Komision do të hetojë të gjitha mjetet e ndara nga Buxheti i Kosovës për çështje lobuese nga viti 2010 e deri më sot”, thuhet në njoftim.

Grupi parlamentar i LDK-së thekson se kohë më parë mediat e shkruara dhe elektronike në vend raportuan lidhur me shuma të mëdha parash publike të shpenzuar për gjoja aktivitetet lobuese.

“Për më tepër letra e publikuar e z. Geoffrey Nice përmendte edhe terme financiare të cilat ishin dakorduar jashtë rrugëve formale për të tilla shërbime”, thuhet në njoftimin për media. /Insajderi.com