Këto janë arsyet që Kroacia po e bllokon Serbinë në rrugën europiane

E publikuar: 13/12/2016 12:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bojkoton takimet në Bruksel, për shkak të bllokadës së Kroacisë. Vuçiqi kërcënon ndërsa Berlini nuk është dakord me bllokadat

Vuçiqi do të bojkotojë ceremoninë e hapjes së kapitujve në negociatat për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, në qoftë se Kroacia vazhdon me bllokimin e hapjes së kapitullit 26 (për arsim dhe kulturë), njofton agjencia gjermane e lajmeve DPA. “Mjaft më me kushtëzime”, tha Vuçiqi, i cili bëri të ditur se do të largohet nga Brukseli dhe do të kthehet në Beograd.

Zagrebi ka kërkuar përmirësimin e pozitës së minoritetit kroat në Serbi, në veçanti në lekturat shkollore. Vuçiq e konfirmoi vendimin e tij pas takimit që zhvilloi me kreun e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.

DPA njofton se kancelarja gjermane Angela Merkel në mënyrë indiskrete e ka “paralajmëruar” të hënën kryeministrin e Kroacisë Andrej Plenkoviq se çështjet bilaterale duhet të zgjidhen me marrëveshje bilaterale mes vendeve dhe jo në nivelin e BE-së. Kështu është shprehur Merkel në konferencën për shtyp, pas takimit të djeshëm në Berlin me kryeministrin kroat.

“Vuçiqi ka humbur nervat”, komentojnë mediat kroate sjelljen e kryeministrit serb në Bruksel, duke e quajtur atë si “hap të befasishëm”, shkruan DPA. Sot në Bruksel, në kuadër të negociatave të Serbisë me BE do të duhej të hapen kapitujt e 5 (furnizimet publike) dhe 25 (shkenca dhe hulumtimet). Ndërsa kapitulli 26 sipas të gjitha gjasave nuk do të hapet.

Vuçiqi ka deklaruar para disa ditësh se llogaritë me futjen e “vendit të tij të varfër” në BE deri në vitin 2025. Agjencia DPA deri tani është e vetmja nga hapësirat gjermanofolëse, të cilat i kanë kushtuar vëmendje kësaj çështjeje./DW/