Këta janë emrat e ambasadorëve të Kosovës në Francë, Gjermani dhe Britani të Madhe

E publikuar: 29/11/2021 23:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka treguar në emisionin Pressing në T7 emrat e ambasadorëve të rinj të Kosovës në Francë dhe Britani të Madhe.

Dy ambasadat në fjalë ishin me ushtrues detyre që një kohë prej shkarkimit të tyre nga ana e qeverisë, por Gërvalla tani thotë se ato janë plotësuar.

“Ambasadori që shkon në Britani të Madhe është i qartë. Është Ilir Kapiti. Ka marrë miratimin nga Qeveria e Britanisë së Madhe dhe mbetet vetëm të marrë kredencialet nga Mbretëresha”, tha ajo.

“Në Francë ka shkuar ambasadori, është Mehdi Halimi. Shumë vite jeton në Francë. Ka punuar edhe në ambasadën franceze në Kosovë. Është njeri i letrave dhe e njeh ambientin. Lëviz si peshku në ujë në Francë. Është pritur nga qeveria franceze dhe pret vetëm akreditimin”, shtoi tutje Gërvalla.

Gërvalla po ashtu tha se përfaqësuese e Kosovës në Çeki do të jetë Albesjana Iberhysaj.

Ajo ka thënë se ai ka marrë kredencialet tek Presidenti i Gjermanisë dhe përfaqëson Kosovën atje.

“Faruk Ajeti ka shkuar në Gjermani dhe do të jetë ambasadori i ri atje. Është gjermano folës. Është studiues tepër i mirë i marrëdhënieve të jashtme dhe ka kryer studime në akademitë austriake.. Ka filluar punën e tij nga data 6 nëntor. I kemi dërguar kredencialet tek presidenti dhe nga ai moment do të përfaqësojë Kosovën atje”, thotë ajo