Kështu e bllokuan Isa Mustafën serbët në Veri

E publikuar: 02/12/2016 17:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës provoi ta mohojë, megjithatë Kryeministri Isa Mustafa u desh që të zgjedh rrugë alternative për të shkuar në përurimin e rrugës që lidhë Zvecanin me Leposaviqin. Kjo pasi banorët serbë të veriut të Kosovës kishin bllokuar me një kamion rrugën që shpie deri tek ura e re mbi Bistricë.

Eskorta e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, të premten në mesditë, ishte nisur për në veri të vendit. Ajo arriti në destinacionin e saj, saktësisht tek ura e re e ndërtuar nga KFOR’i, që lidhë dy komunat kosovare me shumicë serbe, Zvecanin dhe Leposaviqin. Por, jo siç ishte paraparë.

Eskorta e Mustafës u desh të kthehej mbrapa kur mbërriti në fshatin Rudare. Banorët e këtij fshati të banuar me serbë kishin bllokuar qarkullimin e rrugës, madje këtë e bënë edhe duke vendosur një kamion mallrash në mes të saj.

Megjithatë, Mustafa dhe eskorta e tij gjeten zgjidhje. Ata përmes rrugës alternative arritën deri tek Bistrica, ku kryeministri bashkë me drejtuesit e KFOR’it përuruan urën e re që lidh këto dy komuna serbe.

Për pjesëmarrjen në këtë ceremoni ka njoftuar edhe vetë Kryeministri i vendit, por anashkaloi pengesën që i doli gjatë rrugës.

“Mora pjesë sot në përurimin e urës së ndërtuar nga NATO, që lidh Zveçanin me Leposaviqin, dy qytetet më veriore të Republikës së Kosovës. Ishte kënaqësi të shoh një urë të ndërtuar me standarde të larta, e cila do t’ua lehtësoj lëvizjen banorëve të kësaj ane. Urime!”, vetëm kaq shkroi Kryeministri Mustafa në facebook.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës provuan ta mohojnë incidentin. Por, pamjet e një video të agjencisë beogradase të lajmeve, Tanjug, dëshmojnë të kundërtën.