Këshilltari i kryeministrit reagon ndaj AKR-së: Sefajn e shkarkuam për arrestimin e gylenistëve

E publikuar: 30/03/2018 10:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përplasjet brenda koalicionit qeverisës u thelluan me vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Flamur Sefaj. Këtë nuk po e pranon AKR-ja e Behgjet Pacollit, duke thënë se shkarkimi i Sefajt u bë me kërkesë të Listës Serbe, ndërsa Avni Arifi, shef i stafit të kryeministrit, për Express thotë se vendimi u mor për një arsye: arrestimi i gjashtë gylenistëve

Arrestimi i rrufeshëm i gjashtë shtetasve turq, drejtues dhe profesorë të kolegjit “Mehmet Akif”, që pushteti i Rexep Tayyip Erdogan i kërkon për persekutim, shtyu kryeministrin Haradinaj që sot të kërkojë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm dhe shefin e AKI-së, Driton Gashi.

Shefi i stafit të kryeministrit për Gazetën Express hedh poshtë akuzat e AKR-së se Sefaj po shkarkohet pasi këtë e kërkoi Lista Srpska pas arrestimit të Marko Gjuriqit të hënë në Veri.

“Kërkesa për lirim vjen eksplicit për ngjarjen e djeshme (arrestimi i gjashtë gylenistëve) dhe për asnjë arsye tjetër”, ka thënë Arifi.

Dita e djeshme u shënua me operacionin më misterioz ku u arrestuan gjashtë shtetas turq pa asnjë shpjegim. Arrestimet dhe depërtimet e shpejta të gylenistëve nga shoqëria civile, deputetë e analistë u cilësua si akt i turpshëm. Shtetet e BE-së dhe SHBA-së nuk i kanë ekstraduar Turqisë asnjë gylenist që Erdogan i konsideron përgjegjës për tentim-puçin ndaj tij.

Nuk dihet akoma saktë se çka ka ndodhur me gjashtë të arrestuarit pasi as familjarët e as avokatët e tyre nuk janë informuar. As shteti i Kosovës nuk e di se çka ndodhi me gjashtë shtetasit turq që kishin lejeqëndrimi deri në vitin 2022.

Ministria e Punëve të Brendshme kishte njoftuar se gylenistëve iu revokuan lejet e qëndrimit në Kosovë me urdhër të AKI-së.

Për arrestimin e shtetasve turq nuk ka sqarime asnjë nga udhëheqësit e shtetit dhe të institucioneve. Kryeministri, presidenti dhe kryeparlamentari thanë që nuk ishin në dijeni për arrestimin.