Kërkohet t’i vazhdohet kundërligjshëm mandati sekretarit të MPB-së

E publikuar: 31/05/2018 15:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi ka kërkuar nga ministria e Administratës Publike që të hap një konkurs për sekretar permanent të MPB-së.

Por, pavarësisht se kanë kaluar dy javë që kur MPB ka drejtuar këtë kërkesë, ministria e Administratës Publike nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Ndërsa burime të besueshme të Indeksonline marrin vesh se para dy ditësh, Këshilli i lartë për emërime në mënyrë kundërligjore ka kërkuar që t’i bëhet vazhdimi i mandatit sekretarit të MPB-së, Lulzim Ejupit ndonëse atij mandati për këtë pozitë i ka skaduar më datë 27 maj të këtij viti.

Emërimi i Ejupit ishte bërë me 15 shkurt 2017-së, një javë pasi sekretari Driton Gashi kishte kaluar në krye të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI). Deri para emërimit, Ejupi kishte punuar në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Regjistrimit Civil në MPB.

Asokohe ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, i kishte propozuar Qeverisë, që të emërojë për sekretar Lulzim Ejupin, me arsyetimin se kjo pozitë kishte mbetur bosh.

Para votimit, ky propozim ishte kundërshtuar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, si dhe nga ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi. Ata kërkuan që fillimisht të hapet konkursi e pastaj të emërohet Ejupi./Indeksonline/