Kërkohen 30 ditë paraburgim për të dyshuarin e rastit në Shtërpcë, prokuroria jep detaje si ndodhi ngjarja

E publikuar: 07/01/2023 17:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Themelore në Ferizaj, i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit A.K..

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi se më datë 6 janar, në Gotovushë të Shtërpcës, me dashje ka tentuar t’i privoj nga jeta të dëmtuarit M.S., dhe S.S..

Më tej, Prokuroria ka dhënë detaje për rastin, ku pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty, i dyshuari A.K., e ka nxjerr revolen dhe ka shtënë dy herë duke i goditur të dëmtuarit.

“Ndaj të njëjtit, ekziston dyshimi i bazuar se me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitiv të parë, i pandehuri në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka përdorur armën me leje të markës “Mossberg” model MC2C, kalibër 9X19mm, me të cilën ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në komunikatën e prokurorisë..

Më tej, ndaj të pandehuri A.K., ekziston dyshimi se më 6 janar, rreth orës 13:00 në Brezovicë, me përdorimin e armës ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, duke shti pesë herë në ajër.

“Po ashtu, sipas Prokurorisë, ndaj të nëjtit ekziston dyshimi i bazuar se me 06 Janar 2023, rreth orës 13:00, në Brezovicë, komuna Shtërpcë, i pandehuri me përdorimin e armës ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që me veturën e tij të markës “Golf V”, në pamundësi që të kyçet në rrugën që dërgon në Qendrën e Skijimit, meqë aty kishte qenë një grumbull qytetarësh në rrugë, i njëjti kthehet në drejtim të Shtërpcës dhe me revolen e markës “Mossberg” shtënë pesë herë në ajër, me çka ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në komunikatë.