Kërkesa e Haradinajt që Thaçi të raportojë në Kuvend për bisedimet, reagon Presidenca

E publikuar: 27/06/2018 15:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bekim Çollaku, këshilltar i Presidentit Hashim Thaçi, thotë se shefi i tij është i gatshëm t’ia përmbushë kërkesën kryeministrit Haradinaj dhe opozitës që të raportojë në Kuvend për marrëveshjet me Serbinë që arrihen në Bruksel.
Presidenti Thaçi, i cili po vazhdon të udhëheqë bisedimet me Serbinë pa pajtim të të gjithë spektrit politik në vend, megjithatë, sipas Çollakut, do t’i bindet opozitës dhe kryeministrit Ramush Haradinaj për të raportuar në Kuvend.

“Presidenti i Republikës së Kosovës gjithmonë ka qenë dhe është i gatshëm t’i raportojë Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve tanë, për procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Çollaku për Lajmi.net.

Ai, i pyetur nëse Thaçi do të raportojë pas çdo takimi, ka thënë se për mënyrën e raportimit vendos Kuvendi i Kosovës.

“Frekuencën dhe mënyrën e raportimit duhet ta përcaktojë Kuvendi i Kosovës, ndërsa Presidenti mbetet i hapur për të respektuar modalitetet që mund të përcaktohen nga Kuvendi”, është shprehur Çollaku.

Edhe kryeministri Haradinaj, të martën pas mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se do të ishte mirë që presidenti të raportojë para Kuvendit për bisedimet me Serbinë.

“Ndoshta do të ishte mirë që t’i raportojë Kuvendit. Pra, sipas bindjes sime, e rëndësishme është përfshirja e Kuvendit në procesin e dialogut. Ne, Qeveria, komunikojmë me Presidencën dhe me presidentin, por është shumë me rëndësi që partitë parlamentare – edhe ato të opozitës, por edhe të komuniteteve – ta kenë një instrument komunikimi dhe ta dinë të vërtetën për dialogun”, theksoi Haradinaj.

Raportim të presidentit para deputetëve ka kërkuar edhe Instituti Demokratik i Kosovës, institut ky që monitoron punën e Kuvendit.

“Pas takimit të së dielës në Bruksel ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, kreu i shtetit të Kosovës z. Hashim Thaçi duhet t’i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të informojë deputetët rreth përmbajtjes së bisedimeve dhe për hapat e mëtutjeshëm të këtij procesi për të cilat është dakorduar në takimin e mbajtur”, thuhej në komunikatën e KDI-së.

Partitë opozitare dhe Nisma Socialdemokrate e cila është në koalicionin qeverisës, janë shprehur kundër që Hashim Thaçi të udhëheq fazën e dialogut.

Ata kanë thënë se Presidenti nuk mund ta udhëheqë dialogun, pasi Kuvendi do të anashkalohej, pasi nuk ka kompetencë për mbikëqyrje të presidentit.

Presidenti me Kushtetutë obligohet një herë në vit të raportojë në Kuvend. Takimi i radhës Thaçi-Vuçiq në Bruksel pritet të mbahet pas dy javësh.